Momenti kur avioni italian ulet si të ishte helikopter

Përditësuar më: 23/11/2021, ora 13:24

Momenti kur avioni italian ulet si të ishte helikopter

Përditësuar më: 23/11/2021, ora 13:24

Një avion italian luftarak F35, është ulur vertikalisht në anijen HMS Queen Elizabeth, gjatë një operacioni stërvitor në Detin Mesdhe. Sipas Ministrisë së Brendshme Italiane, përfshirja për herë të parë e kësaj serie avionësh luftarakë është një konfirmim i kapaciteteve të saj për të manovruar në det. Admirali Giuseppe Cavo Dragone, tha se në këtë mënyrë, Italia do të kontribuojë edhe më mirë brenda Bashkimit Europian.

Operacioni stërvitor u zhvillua ndërkohë që në Mesdhe, britanikët dhe amerikanët janë vënë në kërkim të një avioni F-35B Lightning II të Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, me vlerë rreth 150 milionë euro, të rrëzuar në det javën e kaluar. Mediat britanike thonë që Italia është vendi i tretë që i është bashkuar kërkimeve për aeroplanin ushtarak, për shkak se aleatët perëndimorë nuk duan që ai të bjerë në duart e rusëve, të cilët mund të vjedhin teknologjinë.

Operacioni për gjetjen e avionit të humbur në det është një garë me kohën, pasi në atë zonë operojnë edhe anije ruse, të cilat mund të jenë në gjendje ta nxjerrin e ta studiojnë në detaje. Për gjetjen e avionit sa më shpejt janë të interesuara veçanërisht Shtetet e Bashkuara. Edhe më parë, amerikanët refuzuan t’i shisnin Turqisë avionët model F-35A, për shkak se presidenti Erdogan nuk tërhoqi vendimin për të marrë sisteme mbrojtëse nga Rusia. Pentagoni asokohe tha se nuk dëshironte që rusët të studionin profilin e avionëve amerikanë.