Raporti me Bashën, aleatët flasin për bashkëpunim të sforcuar e mashtrim

Përditësuar më: 23/11/2021, ora 13:33

Raporti me Bashën, aleatët flasin për bashkëpunim të sforcuar e mashtrim

Përditësuar më: 23/11/2021, ora 13:33

Përplasjet brenda Partisë Demokratike e kanë kaluar në plan të dytë marrëdhënien me aleatët e frontit opozitar. Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, tha në A2 CNN se edhe bashkëpunimi me PD në zgjedhje ishte i sforcuar nga rrethanat politike.

Për Dukën, “ndodhi ajo që ndodhi, djegia e mandateve, hartimi i një kodi zgjedhor i cili na detyroi të jemi përsëri në një sigël të përbashkët, pasi nuk mund të garonim më vete duke qenë se u prishën koalicionet klasike dhe u detyruam të futemi në një listë të përbashkët. Nuk është se pati ndonjë bashkëpunim, por qe një gjë e sforcuar duke menduar që të dyja palët patën interes”.

Nëse Agron Duka siguroi një vend të sigurt në listën e Durrësit për në Kuvend, nuk ndodhi kjo për Nard Ndokën në Shkodër, ndaj kryedemokristiani zemërimin me Bashën e ka edhe më të madh.

 “Sakrifikuam që ta rrisnim si lider që të fitonte zgjedhjet. Na ka mashtruar me djegien e mandateve duke deklaruar se kishte mbështetjen e CDU gjermane, na mashtroi me zgjedhjet lokale ku tha që kishte mbështetjen amerikane, kur ishte e kundërta”, deklaron kreu i PDK-së.

Të gjithë ishin pjesë e një skalioni tetëvjeçar në opozitë së bashku me PD-në dhe LSI-në, të ndihmuar edhe nga aktiviteti i presidentit Ilir Meta. Por si i komentojnë Duka dhe Ndoka përplasjet e fundit Meta-Basha?

 “Ilir Meta e ka pas shqetësim permanent, ishin ato çfarë ka deklaruar sot. Unë e kam bindje që Basha është peng i 18 majit të 2017”, thotë Ndoka.

 “Këto janë probleme private, përse nuk i the përpara këto, se pastaj del sikur ti i ke shtyrë zgjedhjet vendore se t’u përgjërua Basha. Nga ana tjetër, ky tjetri thotë ia dimë bëmat dhe gjëmat. Po kur ia di bëmat dhe gjëmat, pse u bëre aleat me atë? Ishe në të njëjtën llogore”, replikon Duka.  

Sa i përket “Foltores” së Sali Berisha, Nard Ndoka shprehu hapur mbështetjen ndaj liderit historik të PD-së, ndërsa kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, nuk e konsideroi etike të shprehej publikisht se kë mbështet për drejtimin e forcës kryesore në opozitë.