Rritja e çmimeve, pas ushqimeve, shtrenjtohen edhe qiratë e banesave

Përditësuar më: 23/11/2021, ora 10:39

Rritja e çmimeve, pas ushqimeve, shtrenjtohen edhe qiratë e banesave

Përditësuar më: 23/11/2021, ora 10:39

Jo vetëm ushqimet dhe karburanti, por edhe çmimet e qirave po rriten ndjeshëm. Agjentët imobiliarë konfirmojnë se jetesa në Tiranë po bëhet më e kushtueshme, teksa japin edhe arsyet që po ndikojnë në këtë shtrenjtim.

Çmimi i qirave në kryeqytet është shtrenjtuar ndjeshëm, si për zonat pranë qendrës, ashtu edhe për periferitë. Rritja vlerësohet nga 10-20%, sipas vëzhgimeve të tregut. Sipas agjentëve imobiliarë, rritja e çmimeve konstatohet edhe për shitjen e apartamenteve dhe rrjedhimisht, kjo ka çuar që edhe qiratë e tyre të jenë më të larta.

Agjentët imobiliarë shpjegojnë se shtrenjtimi i qirave ka ndodhur edhe për faktin se pronarët e tyre po shpenzojnë më shumë në rritjen e standardit për mobilim apo për cilësinë e banesës.

Shtrenjtimi i qirave është bërë thuajse i papërballueshëm për qytetarët, veçanërisht ata me të ardhura të ulëta. Niveli aktual mund të përballohet vetëm nga të huajt, të cilët jetojnë në kryeqytet kryesisht për arsye pune ose investimi.