Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

NASA nis misionin historik, hera e parë që do të ndryshohet trajektorja e një objekti qiellor

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2021, 10:04 | Teknologji

NASA ka nisur të martën një mision historik, ku për herë të parë një anije kozmike e nisur nga Toka do të godasë dhe ndryshojë trajektoren e një trupi qiellor.

Misioni i pagëzuar si DART (Double Asteroid Redirection Test) nisi zyrtarisht në orën 10:21 të mbrëmjes, nga baza e NASA-s në Kaliforni. Anija kozmike, Falcon 9 e SpaceX të Elon Musk, fluturoi në hapësirë pa probleme, ndërsa raketa që realizoi fluturimin zbriti gjithashtu në Tokë, normalisht.

Por testi i vërtetë për këtë teknologji do të jetë në shtator 2022, kur anija do të arrijë objektivin për të goditur Dimorphos, një hënë të vogël të një asteroidi që orbiton rreth tokës, të quajtur Didymos.

Goditja e këtij trupi qiellor do të jetë edhe demonstrimi i parë i Agjencisë në përdorimin e kësaj teknologjie dhe gjithashtu, hera e parë, që njerëzit do të mund të ndryshojnë dinamikën e një trupi qiellor brenda sistemit tonë diellor, në mënyrë të matshme.

https://twitter.com/NASA/status/1463392778398973953

Asteroidi në fjalë, klasifikohet si objekt pranë Tokës, pasi është brenda një distance prej 48 milionë kilometrash larg planetit tonë. Pikasja e këtyre objekteve është misioni kryesor i NASA-s, për shkak se një përplasje e tyre në Tokë mund të kishte pasoja shkatërruese për specien tonë.

Asteroidi Didymos ka një diametër prej 800 metrash, ndërsa hëna e tij, Dimorphos – që është edhe objektivi i anijes kozmike të NASA-s – ka një diametër prej 160 metrash. Ai është zbuluar nga shkencëtarët rreth dy dekada më parë.

Shkencëtarët kanë përllogaritur që në momentin kur anija të jetë duke goditur objektivin, asteroidi do të jetë 11 milionë kilometra larg Tokës, relativisht afër planetit tonë. Anija do të përplaset me asteroidin me një shpejtësi rreth 24 mijë kilometra në orë.

Dimorphos u zgjodh për këtë test për shkak të përmasave relativisht të ngashme me trupat qiellorë që mund t’i shkaktojnë dëme Tokës, por trajektorja që ka marrë asteroidi në vetvete nuk përbën kërcënim për planetin.

Hëna Dimorphos kryen një rrotullim rreth asteroidit Didymos për 11 orë e 55 minuta. Nëse përplasja është e suksesshme koha e rrotullimit do të ndryshojë me të paktën 73 sekonda, tha për CNN, Andy Cheng, anëtar i ekipit DART dhe shkencëtar në laboratorin e Fizikës së Aplikuar në Universitetin “Johns Hopkins”. “Nëse një ditë do të zbulojmë një asteroid që po vjen drejt Tokës, atëherë do të kemi më të qartë se çfarë duhet të bëjmë për t’i ndryshuar trajektoren”, tha Cheng.

Momentalisht, nuk ka asnjë trup qiellor që po udhëton drejt Tokës, por sipas klasifikimeve të NASA-s në hapësirë janë rreth 27 mijë asteroide pranë planetit tonë, të të gjitha formave dhe përmasave.

A2 CNN Livestream

Dita jonë