Hueyda El Saied, jeta e artistes mes baletit, televizionit, krijimit dhe pikturës

Përditësuar më: 24/11/2021, ora 12:08

Hueyda El Saied, jeta e artistes mes baletit, televizionit, krijimit dhe pikturës

Përditësuar më: 24/11/2021, ora 12:08

Artistja Hueyda El Saied është ndarë nga jeta në moshën 46-vjeçare. Mësohet se Hueyda, vuante nga një sëmundje e rëndë, me të cilën nuk mundi ta fitonte betejën. Ajo u shua mëngjesin e së martës në një spital të Luksemburgut.

Hueyda, e lindur në Tiranë, u bë e njohur në Shqipëri pasi fitoi konkursin televiziv të kërcimit “Dymbëdhjetë vallëzime pa një të shtunë”.

Artistja multidimensionale kishte provuar të bënte thuajse gjithçka, sa i takon televizionit. Ajo këndoi, ishte balerinë, koreografe, moderatore dhe piktore.

Në vitin 2000, botoi romanin e saj të parë “Ngjyra e lëkurës sime”, ndërsa në vitin 2006 romanin “Maska e zemrës”.

Hueyda El Saied ishte nënë e një djali 6-vjeçar, Gabrieli, nga marrëdhënia me ish-partnerin Michael Tamisier.

Ndërsa në dhjetor 2020, Hueyda u martua me Thierry Grosjean, i cili birësoi Gabrielin dhe të tre jetonin në Luksemburg.

Lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta së artistes dhe gazetares, Hueyda El Saied, në moshën 46-vjeçare ngjalli reagime të forta e prekëse nga personalitete të rëndësishme. Përveç personazheve mediatikë apo artistë, pati reagim edhe nga bota e politikës.

El Saied do të kujtohet si një nga portretet më të ëmbla, të dashura dhe karizmatike të ekranit shqiptar.