Një roveshiatë me këpucët e zgjidhura, një pritje spektakolare dhe një rast i humbur në mënyrë të pabesueshme

Përditësuar më: 24/11/2021, ora 12:14
Nje roveshiate me kepucet e zgjidhura nje pritje spektakolare dhe nje rast i humbur ne menyre te p 1280x720

Një roveshiatë me këpucët e zgjidhura, një pritje spektakolare dhe një rast i humbur në mënyrë të pabesueshme

Përditësuar më: 24/11/2021, ora 12:14

Mbrëmja e së martës në Champions League pati disa rezultate befasuese, por edhe momente për t’u mbajtur mend gjatë. Në raundin e parafundit të fazës së grupeve, ku nuk janë përcaktuar ende të gjitha ekipet që do të kalojnë më tej, fatet e skuadrave përcaktohen nga çaste vendimtare, një fraksion sekonde që mund të vendosë gjithçka.

I tillë ishte edhe rasti i humbur nga Haris Seferovic në sekondat e fundit të ndeshjes Benfica-Barcelona. Me portën e boshatisur, sulmuesi zviceran e dërgoi topin jashtë, duke i hequr mundësinë portugezëve që të fitonin ndeshjen dhe të kalonin në vend të dytë. Pas këtij aksioni, trajneri i Benfica-s, Jorge Jesus, u ul në gjunjë në anë të fushës i dëshpëruar. “Në 30 vite si trajner nuk kisha parë kurrë diçka të tillë”, tha ai për CNN Portugal, pas ndeshjes.

Që të kualifikohet, Benfica duhet të mundë Dynamo Kiev në ndeshjen e fundit në grup dhe gjithashtu duhet që edhe Barcelona të mundet kundër Bayern Munchen.

Po aq spektakolare ishte edhe pritja e David De Gea-s kundër Villarreal, kur rezultati ishte 0-0. Portieri spanjoll i hoqi një gol të pastër Manu Trigueros, ndërsa disa pritje të tjera lejuan Manchester United të qëndronte në lojë, para se Ronaldo dhe Sancho të shënonin dy golat që kualifikuan “Djajtë e Kuq” në fazën tjetër.

Në borën e Kievit, Robert Lewandowski shënoi ndoshta golin më të bukur të fazës së grupeve dhe gjithë turneut, kur u rrotullua në zonë dhe me roveshiatë dërgoi topin në rrjetën e Dynamo-s. Goli u vlerësua edhe si më spektakolar se sa ishte për faktin që fotot nga afër treguan në momentin e goditjes sulmuesi polak i kishte lidhëset e këpucës të zgjidhura.