Kolumbia sekuestron sasinë më të madhe të kokainës për këtë vit

Përditësuar më: 25/11/2021, ora 11:33

Kolumbia sekuestron sasinë më të madhe të kokainës për këtë vit

Përditësuar më: 25/11/2021, ora 11:33

Forcat e armatosura sekuestruan 10 tonë kokainë dhe shkatërruan dy laboratorë droge gjatë një misioni në juglindje të vendit, tha ministri i Mbrojtjes, Diego Molano. Sipas tij, kjo ishte sasia më e madhe e kokainës e sekuestruar këtë vit.

Sipas Molanos, laboratorët e kokainës i përkisnin rebelëve të majtë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN). Sipas tij, për këtë sasi, ata mund të kenë përfituar më shumë se 300 milionë dollarë.

Pavarësisht se po e lufton prej dekadash trafikun e kokainës, që kur Kolumbia dominohej nga Kartelet e Pablo Escobar dhe “narkos”-ave të tjerë, vendi mbetet një prej prodhuesve më të mëdhenj të lëndës narkotike dhe është nën presion të vazhdueshëm nga Shtetet e Bashkuara për të ulur sasinë e sipërfaqes së mbjellë me koka, përbërësin kryesor të kokainës.

Trafiku i drogës ndihmon në financimin e grupeve të paligjshme të armatosura, të përshira në konflikte që kanë shkaktuar më shumë se 260 mijë viktima në vend.

Përveç grupimit majtist ELN, me trafikun e kokainës janë të përfshirë edhe ish-anëtarë të grupit gueril, FARC, të cilët janë të pakënaqur me marrëveshjen e paqes së arritur në vitin 2016 me qeverinë. Në vitin 2020, sasia e kokainës së sekuestruar në Kolumbi arriti shifrën rekord të 505 tonëve.

Në një tjetër operacion të mërkurën, autoritetet e El Salvadorit sekuestruan 2,7 tonë kokainë, me vlerë 60 milionë euro, sasia më e madhe e sekuestruar në vend prej vitit 2019.

Gjatë operacionit, u arrestuan 9 persona, shtetas meksikanë, kolumbianë dhe ekuadorianë, çka tregon bashkëpunimin mes kombësive të ndryshme në trafikun e drogës që nis në Amerikën e Jugut, për të përfunduar në Europë dhe Shtetet e Bashkuara. Amerika Qendrore dhe Meksika mbetet rruga kryesore për kalimin e drogës në SHBA, ndërsa Ekuadori mbetet shteti prej nga niset kryesisht droga e destinuar për tregun europian, ku jo në pak raste është përfshirë edhe Shqipëria si vend transit.