Reshjet e dendura, Vjosa del nga shtrati dhe priten përmbytje, probleme në Kurbin dhe Sukth

Përditësuar më: 29/11/2021, ora 20:12
ura e Mifolit 1280x720

Reshjet e dendura, Vjosa del nga shtrati dhe priten përmbytje, probleme në Kurbin dhe Sukth

Përditësuar më: 29/11/2021, ora 20:12

Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë dhe vijojnë të bien në zonën e Leskovikut dhe Përmetit, prej ditës së djeshme dhe në vijim, ka bërë që prurjet në lumin Vjosa të jenë të mëdha, duke bërë që në disa pika të ketë dhe dalje nga shtrati.

Shirat vijojnë të jenë me intensitet të lartë në zonën e Çarshovës dhe në majën e Pindit. Në zonën e Përmetit niveli i Vjosës ka arritur 5.3 metra ndërkohë që pika kritike është 5.4 metra.  

Situata në urën e Mifolit

Kjo situatë mund të sjell përmbytje në orët në vijim, ndërkohë që situata po monitorohet në terren, dhe pikërisht në urën e Mifolit.

Ndërkohë, intensiteti i lartë i reshjeve të shiut kanë sjellë probleme në nënkalimin e autostradës Fushë-Mamurras të Kurbinit.

Përmbytjet në nënkalimin e autostradës Fushë-Mamurras

Ujërat e shiut kanë përmbytur pjesën e nënkalimit duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Kujtojmë se pavarësisht se kjo situatë paraqitet sa herë që ka reshje të dendura shiu për shkak se bllokohen zgarat e kullimit të ujerave që vërshojnë në rrugë, asnjë masë nuk është marrë për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare.

Lumi Erzen rrezikon daljen nga shtrati, në disa zona në Sukth, pasi vijon rritja e nivelit të ujit. Po ashtu, si pasojë e erës së fortë dhe forcës së detit që shkon deri në 7 në ujërat ndërkombëtarë dhe 5-6 në ujërat territorialë, janë dëmtuar 2 fenerë ndriçues në kanalin hyrës të gjirit të Durrësit, ndërsa nuk ka pengesa në lundrimin e trageteve drejt brigjeve italiane.