Uroi me foton e diktatorit, PD kërkon ndëshkimin e Çelës. Kthen nismën për dekomunistizimin

Përditësuar më: 29/11/2021, ora 16:18

Uroi me foton e diktatorit, PD kërkon ndëshkimin e Çelës. Kthen nismën për dekomunistizimin

Përditësuar më: 29/11/2021, ora 16:18

Demokratët do të kërkojnë masë ndëshkuese për deputetin socialist Bujar Çela, i cili uroi kolegët për 28 Nëntorin me një foto të diktatorit Enver Hoxha, të cilën e postoi në grupin e komunikimit të Komisionit të Sigurisë.

“Evokimi i figurës së diktatorit Enver Hoxha në një datë të shënuar nga një ligjvënës, nuk është thjesht shkelja e Kodit të Sjelljes së parlamentarëve gjatë punimeve të Parlamentit, por diçka më tepër. E në këtë situatë, në emër edhe të kolegëve deputetë, në emër edhe të pozicionit që kam si nënkryetar i Partisë Demokratike, do të kërkojmë në Këshillin e Etikës së Parlamentit marrjen e masave ndaj deputetit në fjalë”, tha Enkelejd Alibeaj.  

Nënkryetari i PD-së shtoi se deputetët demokratë i kanë propozuar Lulzim Bashës që të paraqesin në Parlament një paketë ligjore për dekomunistizimin: “Një paketë ligjore e cila do të fokusojë më së pari pikërisht dekomunistizimin. Pajisjen dhe pasurimin e kurrikulave në shkolla, shpërblimin e të dënuarve e të përndjekurve, ndëshkimin dhe distancimin nga trashëgimia e së djeshmes. Sigurisht që janë këto synimet tona kryesore të kësaj pakete ligjore. E mbi të gjitha edhe për ndëshkimin në aspektin politik dhe moral”.

Një nismë e tillë ligjore nisi të përgatitej nga vetë Alibeaj në vitin 2018, por deputeti shmangu një përgjigje direkte kur u pyet për mungesën e konkretizimit të saj.

Pavarësisht konsultimeve edhe me fondacionet partnere, projektligji për dekomunistizimin nuk u prezantua asnjëherë në Kuvend nga demokratët, për shkak të bojkotit që ata i bënë jetës parlamentare në vjeshtën e vitit 2018, shoqëruar më pas me djegien e mandateve në 2019.