Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Uroi me foton e Enverit, deputeti Çela nxjerr blof Ballën: Nuk harrohet historia

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2021, 14:08 | Politikë
Uroi me foton e Enverit, deputeti Çela nxjerr blof Ballën: Nuk

Urimi me foton e Enver Hoxhës, që deputeti socialist Bujar Çela bëri me rastin e 28 nëntorit, ngjalli debate mes deputetëve në grupin e WhatsApp-it të Komisionit Parlamentar të Sigurisë.

Kundërshtimit dhe kritikave që hasi nga deputetët demokratë, Çela, iu përgjigj edhe më ashpër.

Për të justifikuar deputetin socialist të Lushnjës mendoi kreu i grupit, Taulant Balla, i cili nga Fieri tha se Çelës i kanë marrë celularin, por gjithsesi shtoi se për këtë rast deputeti do të hetohet. “Unë kam marrë një sqarim nga deputeti në fjalë, që bëhet fjalë për përdorim të aparatit të tij celular nga persona të tjerë. Kjo do të jetë pjesë e një verifikimi në aspektin e kodit të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar dhe çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të ketë verifikime. Do i kërkoja të gjithë kolegëve të tjerë të raportojnë raste të tilla dhe natyrshëm që grupi parlamentar i PS-së ka të gjithë instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë çdo lloj hapi apo mase disiplinore”.

Por, vetë Çela nuk është në dijeni të përdorimit të celularit nga dikush tjetër, teksa mëngjesin e së hënës nga varrezat e dëshmorëve në Lushnjë, mbrojti mesazhin e tij.

“I përkas atyre që e njohin luftën dhe mendoj që figura e Enver Hoxhës nuk mund të quhet nul. Ka edhe ai kontribute, përderisa ne nuk kemi gjetur një udhëheqës tjetër që e ka udhëhequr luftën. Po të jetë se ka një person që pretendon se gjyshja apo gjyshi i tyre ka udhëhequr këtë luftë të shprehet. Historianët janë aty, letrat janë aty. Unë nuk jam nip i Enver Hoxhës, por jam si gjithë shqiptarët që nuk mund ta harrojnë historinë nga kanë ardhur”.

Përdorimi i simboleve të komunizmit dhe adhurimi ndaj diktatorit Hoxha ngjall rregullisht debate, por edhe pas 30 vitesh demokraci mungon një ligj që do të dënojë përdorimin e tyre.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani