Publikohen masat e Komitetit Teknik të Ekspertëve, mbyllen kufijtë me disa shtete afrikane

Publikuar më: 2/12/2021, ora 14:34
2 DHJETOR 2021 KOMITETI frame 20894 1280x720

Publikohen masat e Komitetit Teknik të Ekspertëve, mbyllen kufijtë me disa shtete afrikane

Publikuar më: 2/12/2021, ora 14:34

Komiteti Teknik i Ekspertëve publikoi masat e reja që vendosi të marrë pas daljes në qarkullim të variantit Omicron të koronavirusit.

1. Duke filluar nga 2 dhjetori, çdo qytetar +18 vjeç mund të bëjë dozën përforcuese, pasi ka kaluar 6 muaj nga doza e dytë.

2. Pas vendimit për vaksinimin e mësuesve dhe studentëve, Komiteti ka marrë vendim që deri me datën 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare që nuk janë vaksinuar, të vaksinohen, pasi me datën 4 janar, do të kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negative çdo 5 ditë.

3. Nisur nga fakti që varianti i ri Omicron është identifikuar në qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi e kontaktesh me vende të Afrikës së Jugut, si edhe faktin që akoma nuk është e qartë natyra e agresivitetit të virusit, masat e marra edhe nga vende të tjera të botës, Komiteti i Ekspertëve vendosi të rekomandojë ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet: Afrikë e Jugut, Kenia, Angola, Zambia, Bostvana, Senegal.

Duke filluar nga data 3 dhjetor, për tre javë.

Shtetasit shqiptarë rezidentë, që vijnë në Shqipëri dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes, në vendet e listuara më sipër do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë dhe do të monitorohen nga njësitë shëndetësore.

Masat e tjera në fuqi:

Masat e tjera vijojnë si më poshtë:

-​Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00.

-​Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë transit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:

•​Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.

•​Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.

•​Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

•​Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.

•​Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10-ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

-​Vijon që në strukturën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu siç është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.

-​Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.

-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri  për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj., e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj. deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.