Ankandet e energjisë, OSHEE shpenzoi 76 milionë euro gjatë muajit nëntor

Përditësuar më: 4/12/2021, ora 16:05

Ankandet e energjisë, OSHEE shpenzoi 76 milionë euro gjatë muajit nëntor

Përditësuar më: 4/12/2021, ora 16:05

Gjatë muajit nëntor OSHEE ka shpenzuar mbi 76 milionë Euro për të siguruar furnizimin me energji elektrike për konsumatorët. Sipas të dhënave të ankandeve zyrtare të Furnizuesit të Tregut të Lirë, vlera e shpenzuar llogaritet në rreth 11 milionë Euro më shumë krahasuar me muajin tetor, kur u ble rreth 65 milionë euro energji elektrike.

Çmimi mesatar i një Megawat sot arrin në vlerën e 277 euro më i lartë se muajin e kaluar ku 1 megavat blihej me 260 Euro dhe ndjeshëm më shtrenjtë se disa muaj më parë, kur çmimi i blerjes varionte nga 62 deri në 70 euro për MWh.

OSHEE ka bërë blerje të vazhdueshme të energjisë në krye të çdo jave për muajin nëntor, ku sipas të dhënave ankandi më i shtrenjtë rezultoi loti i dytë i datës 24-30 Nëntor me vlerë 354 euro për megavat. Nëse kjo tendencë rritëse do të vijojë edhe në javët e ardhshme, më shumë shpenzime do t’i faturohen OSHEE.

Në të kundërt, nëse do të ketë një rritje të prodhimit nga hidrocentralet publike në kaskadën e Drinit, energjia e prodhuar me kosto të ulët mund të amortizojë çmimet e larta në bursa.

Kryeministri Edi Rama shpalli zyrtarisht situatën e jashtëzakonshme në sektorin e energjisë në fillim të Tetorit. Qeveria është shprehur e gatshme të mbështesë me garanci kompaninë publike të energjisë, deri në vlerën e 200 milionë eurove, për të përballuar blerjet në ankande. Njëkohësisht, OSHEE ka shtyrë edhe planet e saj për investime, për të pasur sa më shumë likuiditet në dispozicion deri në stabilizimin e çmimeve.