Rindërtimi në Kombinat, Rama: Do të zgjasë në kohë, por do të merrni bonusin e qirasë

Publikuar më: 10/12/2021, ora 11:46

Rindërtimi në Kombinat, Rama: Do të zgjasë në kohë, por do të merrni bonusin e qirasë

Publikuar më: 10/12/2021, ora 11:46

Kryeministri Rama inspektoi nga afër shkollën e rindërtuar “Lasgush Poradeci” në Kombinat, ku premtoi se do të ndërhyhet në shumë shkolla në vend për të krijuar ambiente sa më të përshtatshme për fëmijët.

“Dëshiroj t’iu them nxënësve se ne do të shkojmë shumë përtej infrastrukturës së re dhe për këtë arsye do të angazhohemi shumë qenësishëm që me vitin e ardhshëm, por edhe vitet në vijim, për të kthyer fonde dhe vëmendje te më të rinjtë, më të vegjlit, dhe për t’i transformuar shkollat jo vetëm në hapësira të rindërtuara për të marrë mësim, por edhe në hapësira për t’u organizuar në aspektin social, kulturor, sportiv, dhe të gjitha këto hapësira të reja, palestra të reja, salla të reja, të jenë në shërbim të një jete të re në shkollë dhe të mbushjes me energji pozitive të asaj kohës nga klasa në shtëpi, nga banka në shtrat për të fjetur e për t’u zgjuar të nesërmen”.

Ndërkohë banorët e Kombinatit, Rama i njoftoi se procesi i rindërtimit për ta do të zgjasë në kohë, por bonusi i qirasë do të vijojë.

“Kjo është zona ku do të ndërtohet një nga zonat më të mëdha të rindërtimit. Është një nga projektet më të mëdha, në mos më i madhi, ndaj duhet pak më shumë kohë se për ndërtimin e shtëpive individuale apo lagjeve më të vogla. Lagjja e re që do të ndërtohet këtu, do të jetë njësoj si kjo shkollë, për nga impakti transformues. Të gjithë ata që janë në pritje për të hyrë në shtëpi, t’i bëjnë hallall të gjitha ditët e netët, që nuk kanë qëndruar jashtë, por që i kanë kaluar e do i kalojnë të gjitha ditët deri në fund në shtëpi me qira të paguara nga qeveria e Shqipërisë”.