18 dhjetori i PD, degët përgatiten për referendum dhe Kuvend

Përditësuar më: 16/12/2021, ora 16:13

18 dhjetori i PD, degët përgatiten për referendum dhe Kuvend

Përditësuar më: 16/12/2021, ora 16:13

Dy ditë para 18 dhjetorit, strukturat e partisë demokratike në degë janë duke punuar, ndonëse në drejtime të ndryshme. Disa janë angazhuar për mbajtjen e kuvendit të thirrur nga Lulzim Basha dhe të tjera për referendumin që do të ratifikojë vendimin e Kuvendit të 11 dhjetorit për shkarkimin e Bashës.

Sajmir Mulgeci, kreu i Degës 9 në Tiranë tregon për A2 CNN se përgatitjet për referendumin e së shtunës kanë përfunduar.

“Veprojmë sipas statutit të 11 dhjetorit, me vendim të kryesisë jemi mbledhur. Është ngritur komisioni, struktura është gati”.

Edhe në degën numër 8 në Tiranë  kreu i saj, Pëllumb Seferi, thekson se gjithçka është gati nga ana proceduriale, por jo për të mbajtur referendum, por për Kuvendin e thirrur nga Lulzim Basha.

“Janë njoftuar delegatët, struktura është mobilizuar. Sipas mendimit tim, edhe 18 dhjetori do të jetë si këshilli kombëtar, e njëjta frymë ku do të ketë përplasje idesh, diskutime dhe votime, por në fund do të dalim të bashkuar”.

Sfida për kontrollin e selive nuk prek vetëm atë qendrore, por edhe ato të degëve, që për mbështetësit e referendumit janë edhe qendra votimi ku thirret anëtarësia.

Për sa i përket kartës së anëtarësisë kreu i njësisë 9, Saimir Mulgeci, nënvizon se demokratët e kësaj dege nuk i kanë kartat e tyre, pasi sekretariati i PD-së, nuk i ka kthyer që kur i mblodhi pas kuvendit të 17 korrikut.

Ndërsa Pëllumb Seferi mohoi që kjo të ketë ndodhur në degën 8 që ai drejton. Për zgjidhjen e situatës, Komisioni i Rithemelimit në PD pritet të nxjerrë edhe një udhëzim.