“Patronazhistët 2”, publikohen pagat e 630 mijë personave, prokuroria nis hetim

Publikuar më: 22/12/2021, ora 19:16

“Patronazhistët 2”, publikohen pagat e 630 mijë personave, prokuroria nis hetim

Publikuar më: 22/12/2021, ora 19:16

Nëntë muaj pas skandalit të “patronazhistëve” një tjetër rrjedhje masive të dhënash personale ka tronditur opinionin publik në vend. Të dhënat personale të më shumë se 630 mijë personave shqiptarë, por edhe të huaj rezidentë në Shqipëri, përfshi pagat e tyre në sektorin shtetëror apo privat, qarkullon prej mbrëmjes së të martës në aplikacionin Whatsapp dhe shpërndahet në vijimësi duke çuar në qindra numrin e personave që mund ta përdorin, përfshi edhe keqbërësve.

Lista në formatin Excel mban emërtimin “Rrogat janar 2021” dhe emrat e mbiemrat e 630 mijë e qytetarëve ku përveç pagave përmban vendin e punës, numrin e kartës së identitetit, kompaninë ku punon, madje edhe numrin e orëve të punës.

Në emrat e listuar nga më i paguari tek më pak i paguari gjenden emra biznesmenë, politikanësh, zyrtarësh shtetërorë,  pedagogë, mjekë, punonjës krahu, por edhe agjentë të policisë, apo të Shërbimeve Informative.

Paraditen e së mërkurës Prokuroria e Tiranës nisi verifikimin e rastit. Burime pranë kësaj prokurorie konfirmuan se një grup qytetarësh paraqitën një kallëzim ku kërkonin hetimin e publikimit të të dhënave të tyre personale.

Prokurorët e Tiranës janë duke kryer verifikimin paraprak, për të vlerësuar edhe regjistrimin e një hetimi penal.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe zëdhënësi i qeverisë, Endri Fuga, i cili deklaroi se “Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport digjital i databazës së pagave për periudhën janar–prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim.

“Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme”.

Më tej ai theksoi se databaza digjitale zyrtare e të dhënave nuk përmban disa nga fushat e dokumentit të shpërndarë dhe se Ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit një denoncim zyrtar në prokurori.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës ka në duar edhe hetimin për “patronazhistët”, i përcjellë nga SPAK, lidhur me publikimin e të dhënave personale të 900 votuesve. Për këtë çështje hetimi ende nuk ka gjetur një përgjegjës.