“I heq popullit krenarinë për arritjet e epokës sovjetike”, Rusia mbyll NGO-në më të vjetër në vend

Përditësuar më: 28/12/2021, ora 22:53
memorial rusi NGO 1280x720

“I heq popullit krenarinë për arritjet e epokës sovjetike”, Rusia mbyll NGO-në më të vjetër në vend

Përditësuar më: 28/12/2021, ora 22:53

Rusia e Putin mbylli me vendim gjykate një nga organizatat jo qeveritare më të vjetra në vend.  Arsyeja? Dënimi i epokës sovjetike, që “i heq rusëve krenarinë për arritjet e asaj epoke”.  

Duket paradoksale në shekullin e 21-të, por Moska zyrtare në vitet e fundit nuk ka mohuar asnjëherë, së pari nga vetë presidenti i saj, që periudha sovjetike, përtej disa “gabimeve” siç përkufizohen zakonisht dënimet masive të epokës staliniste, ka qenë diçka për t’u krenuar për të gjithë rusët.

Organizata memorial International, që vepronte në vend nga fundi i viteve ’80, ishte aktive në dënimin e krimeve komuniste, veçanërisht në gulag staliniste,  por edhe në demitizimin e një modeli politik, social dhe ekonomik që dështoi në ballafaqimin me demokracitë perëndimore.

Prokurori portretizoi organizatën si një armë gjeopolitike të përdorur nga agjentë të huaj”, për të goditur vendin. “Memorial e ka cilësuar Bashkimin Sovjetik si shtet terrorist, ndërkohë që justifikon bashkëpunëtorë të nazisteve që kanë duart e tyre të përlyer me gjakun e ruseve”, deklaroi prokurori i çështjes.

Të gjitha asetet e shoqatës në vend u bllokuan, ndërkohë që aktivistët e saj që protestonin përpara gjykatës pësuan arrestime, edhe pse deklaruan që do të apelojnë vendimin edhe jashtë kufijve.

Ligji kundër “agjentëve të huaj” ka goditur pjesën më të madhe të shoqërisë civile ruse, si dhe subjektet politike kritike ndaj pushtetit pothuajse absolut të Vladimir Putin, duke filluar nga arrestimi ndërkombëtarisht i njohur i liderit opozitar Alexei Navalny.