I infektuari nga Omicron në Kosovë, mjeku Vishaj: Ishte i vaksinuar me të dyja dozat e Pfizer

Përditësuar më: 28/12/2021, ora 14:45

I infektuari nga Omicron në Kosovë, mjeku Vishaj: Ishte i vaksinuar me të dyja dozat e Pfizer

Përditësuar më: 28/12/2021, ora 14:45

Varianti i ri i koronavirusit, Omicron, është tashmë prezent në Kosovë. Por autoritetet shëndetësore konfirmojnë se të shtruar në spitale nga ky variant nuk ka.

“Ne aktualisht nuk kemi pacientë të hospitalizuar me variantin Omicron. Jemi duke i trajtuar katër pacientë, të cilët janë pozitiv me Covid-19”, tha Arben Vishaj, drejtor i klinikës infektive në QKUK.

Ai dha detaje dhe për një person i cili rezultoi pozitiv disa ditë pas ardhjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I infektuari ishte vaksinuar me të dyja doza e Pfizer.

“Ky pacient, tri ditë më përpara ka ardhur nga ShBA, ku edhe punon. Gjendja e tij e përgjithshme ka qenë një simptomatologji e rrugëve të prekjes të frymëmarrjes. Është marrë testi për COVID, të cilin e marrim në mënyrë rutinore, ka rezultuar pas testimit nga Instituti Kombëtar se është pozitiv me Omicron”.

Mjeku Vishaj jep detaje edhe për simptomat që kanë pasur personat e infektuar me Omicron, të cilat janë thuajse të njëjta me ato të gripit sezonal.

“Simptomatologjia qoftë e Omicron-it, qoftë e varianteve të tjera është e zakonshme, që fillon me lodhje, me plogështi, me rrjedhje hundësh, me rraskapitje, me vështirësi në frymëmarrje. Pra, është e vështirë që të caktohet se cili tip është”.

Mjeku pohon se në këtë periudhë ka pasur shumë qytetarë të Kosovës të infektuar nga gripi sezonal, por që për fat të mirë nuk ka qenë e nevojshme shtrimi i tyre në spital. Gjithashtu, konfirmoi se strukturat spitalore të Kosovës janë të gatshme t’u shërbejnë qytetarëve, pavarësisht variantit me të cilin mund të infektohen ata.