Omicron përhapet kudo, rekord rastesh në Itali, Angli dhe Francë, Danimarka ka përqindjen më të lartë në botë

Përditësuar më: 28/12/2021, ora 20:33
tampone covid itali 1280x720

Omicron përhapet kudo, rekord rastesh në Itali, Angli dhe Francë, Danimarka ka përqindjen më të lartë në botë

Përditësuar më: 28/12/2021, ora 20:33

Varianti Omicron vijon përhapjen e saj të shpejtë në kontinent. Italia sot ka regjistruar numrin më të lartë nga fillimi i pandemisë, me 78.313 të infektuar në një ditë të vetme, edhe si pasojë e rekordit të tamponëve të kryer, më shumë se 1 milion.  

Përtej statistikave, shqetëson edhe rritja e viktimave, 202, me rajonet më të populluara si Lombardia dhe Lacio që po njohin një dyfishim rastesh.

Sipas ekspertëve, tashmë shifrat i bëjnë pothuajse të panevojshme tamponët, që nuk kanë një përgjigje të saktë, si dhe apelojnë që periudha e karantinës të shkurtohet. Sipas Matteo Bassetti, drejtor i repartit Infektiv të spitalit San Martino në Gjenovë, një nga ekspertët më të njohur italianë, “së shpejti do të kemi më shumë se 100 mijë raste në ditë, dhe rreth 10 milionë italianë në karantinë. Diçka e papranueshme, në terma ekonomikë por edhe shëndetësorë. Duhen protokolle të reja, koha e karantinimit duhet të përgjysmohet në rast të personave të vaksinuar”, siç ka ndodhur edhe në SHBA.

Por lajme po aq shqetësuese vijnë edhe nga vende të ndryshme në Europë. Franca regjistroi rekordin e saj me pothuajse 180 mijë raste infektimesh në 24 orë, ndërkohë që vetëm Anglia, pa të dhënat e  Skocisë dhe Uellsit, ka kaluar 130 mijë të prekurit në ditë.     

Ndërkohë Danimarka, me 1612 raste çdo 100 mijë banorë, ka aktualisht përqindjen më të lartë të infektimeve në botë, aty ku vendi verior me më pak se 6 milionë banorë sot regjistroi më shumë se 15 mijë raste, më së shumti të variantit Omicron, që duket tashmë dominues në vendet europiane.