“Shqipëria ka bërë shumë avancime, por ka gjëra që më trishtojnë”

Përditësuar më: 28/12/2021, ora 20:51

“Shqipëria ka bërë shumë avancime, por ka gjëra që më trishtojnë”

Përditësuar më: 28/12/2021, ora 20:51

Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së, i ftuar në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, theksoi se Shqipëria ka avancuar shumë në këto 30 vite, por ka gjëra që e trishtojnë dhe më kryesorja prej të cilave është mungesa e integrimit në Europë.

“Jemi larg idesë që kishim për Europën dhe lirinë e tregut. Ne po rindërtojmë gjykatat pas 30 vitesh, kjo tregon që nuk kemi bërë ndonjë gjë të madhe. Pas 25 vitesh, ne po na dalin të dhënat personale në rrugë. Kjo tregon që institucionet e shtetit nuk kanë ecur përpara”, tha Shehi.

Ai shtoi: “Përpara ka bërë vetëm individi që dëshiron të pasurohet. Kjo është gjë e mirë. Shqipëria e sotme është shumë më e pasur se ajo që mendoja unë para 30 vitesh. Shqipëria e sotme ushqehet më mirë, përtej krizave. Mua nuk më shkonte mendja që në Tiranë do të ishin këto makina që janë sot dhe që njerëz hallexhinj do të kishin shtëpi si në bllok. Për mua është gëzim kjo gjë, por unë nuk kisha menduar kurrë që pas 30 viteve, Shqipëria jonë të kishte këto gjykata, këto fshatra pa doktorë, që arsimi të ishte në këtë nivel që është sot. Por, ajo që më trishton më shumë është mungesa e Europës”.

Sipas Shehit, në vend që të ishim të integruar në BE, aktualisht po flasim për “Ballkanin e Hapur”.

“Tani flasim për “Ballkanin e Hapur”, kemi mbetur në një qorrsokak ballkanik, kur duhet të kishim hyrë në BE para 10 vitesh të paktën”, tha Shehi.