Drift, gara shpejtësie dhe fëmijët në timon, dhjetëra të gjobitur në Tiranë

Publikuar më: 29/12/2021, ora 13:17

Drift, gara shpejtësie dhe fëmijët në timon, dhjetëra të gjobitur në Tiranë

Publikuar më: 29/12/2021, ora 13:17

Policia Rrugore ka gjobitur 18 persona gjatë ditëve të fundit, të cilët bënin gara shpejtësie dhe drift me makinat e tyre në rrugët e kryeqytetit.

Policia thotë se janë ndëshkuar me 20000 lekë gjobë, 8 drejtues mjetesh që bënin drift në Bulevardin e Ri, në bulevardin “Migjeni” dhe në sheshin “Nënë Tereza”. Ndërsa me nga 40000 lekë secili janë gjobitur 10 të tjerë, që u kapën duke bërë gara shpejtësie në Unazë të Re, në segmentin Liqeni i Thatë-TEG dhe në rrugën interurbane Tiranë-Durrës.

Gjithashtu Policia tha se janë gjobitur 24 shoferë me nga 30 mijë lekë për shkelje të semaforit. 14 personave të tjerë u është hequr patenta për 6 muaj si dhe janë gjobitur, për mbajte të fëmijëve në vend të parë apo në timon.

Policia tha se janë bllokuar 8 mjete luksoze, për mungesë të dokumentacionit, janë pezulluar 30 leje drejtimi, për shpejtësi dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë vendosur 123 masa administrative, për parakalime të gabuara dhe parkime mbi trotuar apo në vija të bardha.

Nisur dhe nga fluksi i madh i lëvizjes së automjeteve në drejtim të Tiranës, nëpërmjet të gjitha rrugëve lidhëse, por edhe nga fluksi i automjeteve në drejtim të qendrës, Policia tha se kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve, që të shmangin në maksimum lëvizjet e panevojshme, kryesisht ato drejt qendrës. Gjithashtu kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve që vijnë nga qarqet e tjera, që brenda kryeqytetit të përdorin mjetet e transportit publik dhe të mos përdorin mjetet private në qendër apo në rrugët e brendshme të kryeqytetit.