Gjoni: 2022 do të jetë vit vendimtar për PD, por larg asaj që shpresojmë, ka nevojë për alternativë të tretë

Përditësuar më: 29/12/2021, ora 22:05

Gjoni: 2022 do të jetë vit vendimtar për PD, por larg asaj që shpresojmë, ka nevojë për alternativë të tretë

Përditësuar më: 29/12/2021, ora 22:05

“Partia Demokratike u rikthye në hartën politike, sepse ishte shndërruar në një humbëse e pashpresë”. Ky është mendimi i analistes Edlira Gjoni, që shton gjithsesi se “me gjasa 2022 do të jetë vit vendimtar për Partinë Demokratike, por larg me atë që pretendojmë”.

Sipas saj, gjithsesi, “në qoftë se nga janari e deri në prill, ne pamë që kishte një rritje të kurbës së besueshmërisë,  zgjedhjet shënuan humbjen e katërt të Bashës në krye të Partisë, dhe jemi tani përballë faktit që PD është kryefjala politike në vend, edhe pse jo për aspektet e saj pozitive”.

Ajo, e ftuar në A2 CNN, analizon edhe qasjen ndryshe të dy kampeve demokrate. “Stili i bërjes së politikës së Berishës është ai i të qenurit pranë bazës, ndërkohë që Basha ka patur gjithmonë stilin e të qenurit mbas kamerave, në zyrat e PD, dhe ka ecur me parimin që PD do të vij në pushtet sepse e mbështet ambasada amerikane, një parim i gabuar”.

Gjoni e shtjellon arsyen. “Është vërtetuar se ambasadat mbështetin qeveritë në pushtet por nuk ndihmojnë asnjë parti që të vij në pushtet, dhe kjo është një ëndërr që duhet të kishte marrë fund me kohë për Bashën dhe mbështetësit e tij. Në pushtet të sjell vota  e qytetarëve, që për momentin nuk shohin shpresë tek Basha por as nga Berisha sepse nuk mund të kenë shpresë nga e kaluara”.

Sipas saj, “ duhet patjetër një alternativë të tretë, sepse aq thellë ka hyrë konflikti mes këtyre dy palëve,  aq shumë është thyer besimi i elektoratit  gri, pa të cilin nuk fiton dot PD, saqë po nuk erdhi një alternativë e tretë PD nuk ka gjë në vijë, dhe më shqetëson sepse po qe keq opozita është keq Shqipëria, dhe nuk kemi alternativë për të shkuar përtej monopartizmit, duke iu afruar Bjellorusisë, Kazakistanit e vendeve të tilla”.