Hallet e drejtësisë, KLP e KLGJ fajësojnë vetingun për vakancat

Përditësuar më: 29/12/2021, ora 15:08

Hallet e drejtësisë, KLP e KLGJ fajësojnë vetingun për vakancat

Përditësuar më: 29/12/2021, ora 15:08

Qeveritë e sistemit të drejtësisë zhvilluan mbledhjen e parë të përbashkët. Tre vite pas konstituimit të tyre, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë thirrën në tryezë protagonistët e sistemit për të diskutuar problematikat e drejtësisë në Shqipëri. Përgjigja për këtë ishte e thjeshtë, vakancat e krijuara nga vetingu.

“Gjykatat e apeleve janë “Thembra e Akilit”. Kapitalin human të ngritur prej 30 vitesh nuk e ngrijmë dot brenda natës”, tha Naureda Llagami.

“Shqetësimi ynë duhet të jetë edhe shqetësimi i tyre. Shtëpia ne na është mbushur me ujë dhe çezma e hapur janë ata”, tha Arben Rakipi, drejtori i Shkollës së Magjistraturës.

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës foli pa dorashka duke dhënë edhe arsye të tjera se përse drejtësia në Shqipëri është e vonuar, madje dukei u vetëpërgjigjur pyetjes, a është e pavarur drejtësia në Shqipëri?

“Njerëzit nuk ankohen vetëm që gjyqet zgjasin por edhe për gjëra të thjeshta që gjyqi fillon në orën 10 se në atë orë vjen gjyqtari në punë. Apo gjyqtari rri dy ditë në zyrë dhe tre ditë jo. Formalisht në radhët tona nuk bëjnë pjesë më politikanë të niveleve të ndryshme, duke filluar nga Presidenti i Republikës, Ministri i Drejtësisë, por kam frikë se hija e tyre në kuptimin institucional ndikon te vendimet tona”, tha Rakipi.

Orët e gjata të diskutimit treguan edhe përplasjet brenda vetë sistemit. “Për nevojat e punës tone, ne mund të kemi nevojë të rrimë këtu edhe një javë, por nuk duam ta shndërrojmë këtë mbledhje në një konklavë nga ata që zgjedhin Papën dhe dalin vetëm kur del tymi i bardhë”, u shpreh Gent Ibrahimi, kreu i KLP.

“S’keni nevojë ju për një prokuror që raporton në KLP. Ne jemi bashkë administrues të procesit. Ne kemi nevojë për bashkëpunim ndërveprim nëse duam ta bëjmë këtë sistem që është kompleks ta bëjmë që të funksionojë”, tha Olsian Çela, kryeprokuror.

Në mes të diskutimeve pati edhe sugjerime që zgjidhen e halleve të drejtësisë ta gjejnë në filmat amerikan. “Do t’iu rekomandoja shumë të shihni një film të fundit të “Netflix”, një “Don’t Look Up “. Është ngritur në art se si kotësia, papërgjegjshmëria, korrupsioni apo mosmirënjohja, funksionojnë. Janë bërë pjesë e mënyrës së jetesës”, tha Rakipi.

Ajo që shkaktoi më shumë habi në këtë mbledhje ishte fakti që disa prej anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, midis të cilëve edhe Gent Ibrahimi, i përfundoi mandati tre vjeçar ndërkohë që tryeza vijonte.