Muka: Do të ketë rritje rastesh të reja, por jo shtrimesh në spital

Përditësuar më: 29/12/2021, ora 20:21

Muka: Do të ketë rritje rastesh të reja, por jo shtrimesh në spital

Përditësuar më: 29/12/2021, ora 20:21

Epidemiologu Taulant Muka, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit”, në A2 CNN, deklaroi se në vendin tonë mund të ketë rritje rastesh në muajt e parë të vitit të ardhshëm, por jo të shtrimeve në spital apo vdekjeve.

“Numri i rasteve të reja po rritet kudo në botë, por edhe numri i testimeve është rritur jashtëzakonisht shumë. Ajo që është e rëndësishme është që pavarësisht rritjes së shpejtë të rasteve, shtrimet spitalore dhe vdekjet janë shumë më pak në krahasim me valët e mëparshme. Kjo do të thotë që imuniteti i fituar vetë dhe ai nga vaksinat po funksionojnë. Shqipëria ka imunitet të fituar nga infeksioni, që mendoj se është shumë i lartë. Pres që në janar apo shkurt të ketë rritje të rasteve, por nuk do të përjetojmë atë që përjetuam në fillim të këtij viti”, deklaroi Muka.

Sipas tij, ka dy kategori personash që duhet të vaksinohen me patjetër: “Unë besoj se është shumë e rëndësishme ta bëjnë vaksinën personat mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese. Vaksina parandalon shtrimin në spital apo ndërrimin e jetës”.

Kur u pyet nëse është përdorur politikisht pandemia nga qeveritë e vendeve të ndryshme, Muka u shpreh: “Në këto dy vite kemi pasur shkencë dhe përdorim politik të shkencës. Detyra e shkencës është që të gjejë të vërtetën, pastaj, se si e përdor politika shkencën është tjetër problem. Shtete të zhvilluara kanë prodhuar vaksina dhe e kanë kthyer situatën edhe në kapital ekonomik. Ne fatkeqësisht është se nuk shfrytëzojmë kapacitetet intelektuale tona. Ne i marrim të gjitha lajmet për Covid-19 nga universitetet e huaja”.