Omicron pushton botën, nivele rekord infektimesh, 500 mijë raste në SHBA

Përditësuar më: 29/12/2021, ora 10:14
Untitled collage 2021 12 29T075001.877 1280x720

Omicron pushton botën, nivele rekord infektimesh, 500 mijë raste në SHBA

Përditësuar më: 29/12/2021, ora 10:14

Pandemia e koronavirusit tashmë ka hyrë në një tjetër fazë të saj, kjo edhe për shkak të qarkullimit të variantit të ri Omicron, i cili është më i transmetueshëm edhe se ai i mëparshëm, Delta.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan 500 mijë persona të infektuar të rinj në 24 orët e fundit, shifër kjo e paregjistruar më parë që nga nisja e pandemisë.

Vetëm në qytetin e Nju-Jorkut, niveli i infektueshmërisë është rritur me 20%, në 7 ditët e fundit.

Shifra të frikshme vijnë dhe nga Franca. Autoritetet shëndetësore, në këtë vend, shprehen se 180 mijë persona rezultuan të infektuar, gjatë ditës së fundit. 242 persona humbën jetën, ndërsa është rritur lehtë dhe numri i shtrimeve në spitale.

Omicroni zyrtarizohet si varianti dominant dhe në Holandë e Zvicër. Danimarka, një ndër vendet që hoqi e para dhe masat shtrënguese, raporton 1612 persona të infektuar për 100 mijë banorë.

Edhe Greqia fqinje, raportoi mbi 21 mijë të infektuar nga Covid-19, mbrëmjen e kaluar. Autoritetet kanë marrë disa masa për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit, mes të cilave është dhe rikthimi i maskës në ambientet e mbyllura dhe transportin publik.

Duke filluar nga 3 janari në Greqi, gjithashtu, do të mbyllen dhe lokalet e natës që në orën 24:00.

Të njëjtën masë për mbylljen e lokaleve të natës e kanë vendosur dhe disa zona në veri të Spanjës, ku ka pasur rritje infektimesh.

E megjithatë, ndonëse shifrat e infektimeve raportohen shumë të larta nga e gjithë bota, niveli i vdekshmërisë ka mbetur në të njëjtat nivele, madje dhe shtrimet në spitale janë rritur lehtë.