“Rritja e çmimeve, e përkohshme”, Civici: E pritshme në ciklin e ekonomisë ku ndodhemi

Publikuar më: 29/12/2021, ora 22:17

“Rritja e çmimeve, e përkohshme”, Civici: E pritshme në ciklin e ekonomisë ku ndodhemi

Publikuar më: 29/12/2021, ora 22:17

Ardian Civici, në një lidhje me studion e “A2 Business” me Aurora Sulçe, në A2 CNN, u shpreh se rritja e çmimeve është rezultat i ndërthurjes së dy fenomeneve.

“Rritja e çmimeve është fenomen i përbotshëm dhe kjo ndërthuret me rritjen e çmimeve në vendin tonë për festat e fundvitit. Shqipëria është akoma në një moment kur 50% e shpenzimeve të një familjeje e zënë shpenzimet ushqimore, kështu që rritja e çmimit të ushqimeve mendoj që duhet të përballohet me politika mbështetëse sociale”, tha eksperti i ekonomisë.

Sipas tij, “tregjet duhet të kontrollohen, por është shumë vështirë që të kemi një kontroll shtetëror përsa i përket çmimeve”.

“Aq më tepër që për produktet bazë ka mijëra shitës të vegjël e të ndërmjetëm. Më shumë sesa kontrolli, që duhet të jetë patjetër, ka nevojë për një grupim të ofertës, që në një farë mënyre ndihmon në disiplinimin e çmimeve”, theksoi Civici.

Në lidhje me ngërçin ku është futur ekonomia, Civici theksoi: “Shqipëria nuk është i vetmi vend që po kalon krizë. Jemi në një cikël të ekonomisë botërore dhe të biznesit që është e pritshme, por nuk dihet se sa do të zgjasë. Mendoj se rritja e çmimeve që vjen nga turbullirat e tregut të energjisë dhe ai ushqimor, por edhe me një situatë alarmi në të gjitha tregjet aktualisht, do të jetë e përkohshme. Ne duhet të mendojmë se si ta bëjmë ekonominë tonë më të pavarur ndaj këtyre goditjeve”.