Sekuestrohet kanabis dhe 4 kallëp C4, po transportohej drejt Greqisë

Përditësuar më: 29/12/2021, ora 11:09
tritol 1280x720

Sekuestrohet kanabis dhe 4 kallëp C4, po transportohej drejt Greqisë

Përditësuar më: 29/12/2021, ora 11:09

Rreth 50 kilogramë kanabis dhe 4 kallëp me lëndë plasëse C4, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës, janë sekuestruar nga policia e Kakavijës në kufirin e gjelbër.

Bëhet e ditur se në pyllin midis fshatit Kakavijë dhe fshatit Dritë, shërbimet e Policisë kanë parë nëpërmjet dylbive, tre shtetas që po transportonin dy çanta në të cilat dyshohej se kishte lëndë narkotike.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të këtyre shtetasve, të cilët sapo kanë diktuar se po i ndiqte policia, kanë braktisur çantat dhe duke përfituar edhe nga moti i keq me shi e mjegull janë larguar me shpejtësi në thellësi të pyllit.

Shërbimet e Policisë kanë lajmëruar menjëherë shërbimet homologe greke dhe vijon krehja e zonës në një perimetër të gjerë, për të bërë të mundur kapjen e tyre.

Gjatë kontrollit në çanta, policia gjeti 42 pako të mbështjella me qese plastike, në brendësi të të cilave kishte lëndë të dyshuara narkotike kanabis sativa, me peshë totale 44.5 kg, 4 kallëp me lëndë plasëse të llojit C4, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.