Bota në 2021, një tjetër vit në histori

Publikuar më: 31/12/2021, ora 15:59

Bota në 2021, një tjetër vit në histori

Publikuar më: 31/12/2021, ora 15:59

Edhe 1 vit tjetër i historisë së njerëzimit është shkruar. Nga trazirat në tempullin e demokracisë, tek lideri i ri i botës së lirë, grushtet e shtetit, zjarret, përmbytjet dhe stuhitë e acarit, betejat e armatosura e deri te takimet e dy liderëve të superfuqive globale.

Bota vitin 2021 e nisi me një divorc. Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian i thanë lamtumirë njëri-tjetrin, në një proces, Brexit, që nisi 5 vite më parë. Në anën tjetër të planetit, në sheshin më ikonik të botës, Times Square, amerikanët u puthen dhe përqafuan duke i uruar njëri-tjetrit më të mirën. Por më 6 janar, një pjesë e tyre do të nxisnin më të keqën në marshimin “Mbro Amerikën”.

 “Të gjithë ne nuk duam që fitorja jonë zgjedhore të vidhet nga demokratët radikalë të majtë të trimëruar, gjë që po e bëjnë, dhe të vidhet nga mediat e lajmeve të rreme. Kjo është ajo që ata kanë bërë dhe çfarë po bëjnë. Nuk do të dorëzohemi kurrë. Ne nuk do të pranojmë kurrë humbjen”, deklaroi atë ditë Trump.

Qindra mbështetës të Presidentit Donald Trump sulmuan Kapitolin e Shteteve të Bashkuara në një përpjekje për të përmbysur humbjen e tij zgjedhore. Duke pushtuar me dhunë simbolin e demokracisë amerikane, detyruan Kongresin të shtyjë seancën për certifikimin e fitores së Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Do të duhej ky mesazh i vonuar i Trump, që dhuna dhe të shtënat me armë të ndalonin.

Pas rikthimit të qetësisë dhe sigurisë, një Kongres i tronditur më 7 janar vulosi zyrtarisht fitoren zgjedhore të demokratit Joe Biden.

Platformat sociale nisën të bllokonin mesazhet e Trump, duke i konsideruar false, ndërsa Kongresi nisi një proces shkarkimi ndaj presidentit me akuzën për nxitje të dhunës. Kësaj nisme iu bashkuan dhe disa republikanë. Me kalimin e ditëve, ushtria amerikane zbarkoi në Kapitol për të garantuar sigurinë e ligjvënësve, por edhe të ceremonisë së inaugurimit të presidentit të ri. Lideri i ri i botës së lirë, Joe Biden, ishte gati për të marrë detyrën. Betimin e bëri siç e parashikon tradita, me 20 janar.

 “Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Një ditë historie dhe shprese, ripërtëritjeje dhe vendosmërie… Ne mësuam se demokracia është e shenjtë, e brishtë. Dhe në këtë orë, miqtë e mi, demokracia ka triumfuar”, deklaroi presidenti amerikane i sapo zgjedhur.

Trump nuk mori pjesë në ceremoni, dhe bashkë me familjen u largua i trishtuar me zotimin se do të kthehej sërish.

Në shkurt të 2021, Mianmari i mësoi botës se si arrestohet një fituese e çmimit Nobel për Paqen: natyrisht me një grusht shteti.

Ushtria mori pushtetin duke arrestuar Aung San Suu Kyi, e cila fitoi zgjedhjet demokratike. Rezultati i kësaj beteje: protesta, viktima dhe të plagosur në rrugët e vendit, ndërsa diktatura ushtarake nuk lëkundet.

Një lloj shtypje ndodhi edhe në Rusi, kur kritiku më i zëshëm i Kremlinit, Aleksei Navalni, vendosi të rikthehej në atdhe, pasi i shpëtoi mrekullisht një helmimi me agjent nervor Novichok, falë trajtimit special në Gjermani. Opozitari u arrestua menjëherë, sapo shkeli tokën ruse dhe u vendos në burg. Kjo nxiti një valë protestash në mbarë vendin, e për pasojë mijëra të arrestuar.

Më pas erdhi moti i keq. Një stuhi e të ftohtit vrau të paktën 136 persona në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe detyroi rreth 10 milionë persona të jetonin për disa ditë pa energji elektrike. Gjithçka ngriu përreth një javë. Stuhia e acarit e pagëzuar me emrin “URI”, ishte më e shtrenjta në historinë botërorë duke shkaktuar 196.5 miliardë dollarë dëme, në SHBA dhe Meksikë.

Në Mars tregtia globale pësoi një goditje të rëndë. Ever Given, anija më e madhe e mallrave në botë, e gjatë 400 metra, bllokoi Kanalin e Suezit, një nga rrugët ujore më të përdorura të globit. Duhej të gërmoheshin 30 mijë metër kub rërë që mjeti lundrues me peshë 224 mijë ton të rifitonte lirinë. Bllokada prej gjashtë ditësh bëri që në radhë të prisnin 369 anije për të kaluar në kanal.

Moti i keq u rikthye sërish. Këtë herë shirat e dendur shkaktuan përmbytjet më të këqija në më shumë se gjysmë shekulli në Australi. Vërshimet e ujit shkatërruan shtëpi, ferma dhe rezerva ushqimore.

Një stuhi e tmerrshme preku dhe Indonezinë. Seroja vrau 270 njerëz aty dhe shkatërroi jetët e shumë familjeve. Më pas në arenën globale dolën armët. Kriza e radhës mes Izraelit dhe Palestinës tronditi botën. Hamas lëshoi një raketë në kundërpërgjigje të dëbimit të një familjeje palestineze nga Sheikh Jarrah në Jeruzalemin Lindor. Izraeli reagoi duke lëshuar një shi raketash në Gaza. Luftimet dhe bombardimet mes palëve zgjatën 11 ditë. Bilanci: 240 persona të vrarë, shumica palestinezë. Paqja do të vinte nga ndërmjetësimi i Egjiptit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qytetarët, në Gaza dhe Izrael, festuan armëpushimin. Ndërsa ajo që mbeti pas ishte vetëm shkatërrim.

Ndërkaq, tensionet mes lindjes dhe perëndimit sa shtoheshin, deri në atë pikë që palët rikthyen në fjalor sërish termin “Luftë e Ftohtë”. Për të sheshuar mosmarrëveshjet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia zgjodhën një tokë neutrale, Zvicrën. Presidentët, Joe Biden dhe Vladimir Putin, u takuan kokë më kokë për disa orë në Gjenevë, që njihet dhe si qyteti i paqes. Skenografia ishte kuruar në detaj dhe kuptohej qartë mesazhi që palët do të flisnin për fatin e botës. Biden dhe Putin ranë dakord që marrëdhëniet e ngrira të shkriheshin dhe në ambasadat respektive të secilit shtet të ktheheshin diplomatët. Gjithashtu të bashkëpunonin në fushën kibernetike.

 “Mendoj se ajo që Putin do më pak tani është një luftë të ftohtë, por kjo nuk do të thotë që ai do të ulë armët dhe të na drejtohet duke na thënë hajde përqafohemi”, deklaroi atëherë Joe Biden, ndërkohë që Putin i përgjigje me të njëjtën monedhë.  “Nuk ka lumturi, por ka copëza lumturie, të njëjtën gjë mund të them për besimin mes nesh; nuk ka besim por vetëm copëza besimi.”

Analistët përcaktuan fituesin. Në bazë të gjuhës së trupit dhe deklaratave, Putin doli triumfues në këtë përballje të superfuqive globale. Përveç politikës, fitoi edhe syzet ikonike të Biden si dhe një statujë bizoni të kristaltë.

Pak orë pas kësaj përballjeje, NATO zhvilloi samitin më të rëndësishëm të saj; të parin me pjesëmarrje fizike që prej shpërthimit të pandemisë dhe të parin që prej largimit të uraganit Trump. Aty u zbulua agjenda 2030 dhe se Aleanca Veri-Atlantike është e bashkuar dhe e gatshme për t’u reformuar në mënyrë që t’i përshtatet sfidave të sotmes dhe të nesërmes.

 “Të gjithë liderët u dakordësuan se në një epokë kompeticioni global, Europa dhe Amerika Veriore duhet të qëndrojë e bashkuar në NATO, për të mbrojtur vlerat tona dhe interesat tona. Veçanërisht kur regjimet autoritare si Kina dhe Rusia sfidojnë rregullat në hapësirën e rendit kombëtar”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltengerg.

Në kuadër të agjendës “NATO 2030”, vendet anëtare u pajtuan mbi 8 fusha kyçe, ndër të cilat për rritjen e konsultimeve mes partnerëve, forcimin e mbrojtjes dhe aftësive parandaluese, thellimin e përparësisë teknologjike apo intensifikimin e stërvitjeve me partnerët dhe rritjen e buxhetit për mbrojtjen.

Ndryshimet klimatike u bënë sërish prezente për të treguar zemërimin e natyrës. Një zjarr i furishëm përfshiu pjesën perëndimore të Kanadasë pas një vale rekord e të nxehtit në Amerikën e Veriut. Kjo shkaktoi mbi 600 viktima. Në pjesën tjetër të botës, po binte shi sa për të gjithë vitin. Përmbytjet dhe stuhitë katastrofike shkatërruan rrugë, shtëpi dhe gjithçka që u doli përpara në rajonet perëndimore të Gjermanisë. Moti i keq, i nxitur nga ndryshimet klimatike, u mori jetën më shumë se 100 personave në këtë shtet. Qindra të tjerë mbetën të pastrehë.

Përmbytje dhe stuhi pati edhe në shtete të tjera të Europës, si Belgjikë, Zvicër, Holandë dhe Francë. Ekspertët e konsideruan këtë një zhvillim që ndodh një herë në 400 vite. Ndërkaq, një krizë e re po lindte në Lindjen e Mesme. Talebanët fitonin terren në të gjitha frontet, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden, u zotua t’i japë fund luftës më të gjatë të Shteteve të Bashkuara. Pas 20 viteve pushtim, të gjitha trupat ushtarake të huaja do të largoheshin nga Afganistani.

Gjenerali amerikan që drejtoi luftën në Afganistan, Austin Miller, hoqi dorë nga komanda në një ceremoni dhe u largua në heshtje nga vendi, një fund simbolik i konfliktit më të gjatë të Amerikës, ndërsa kryengritësit talebanë fitojnë më shumë vrull.

Kur administrata Biden organizoi eksodin e ndërkombëtarëve, nuk e mori kurrë në konsideratë që puna e 20 viteve për të trajnuar ushtrinë afgane dhe autoritetet, do të zerohej vetëm në disa ditë. Talebanët morën kontrollin e të gjithë vendit duke zhytur Afganistanin në kaos. Mijëra civilë kërkuan dëshpërimisht të largoheshin nga Afganistani përmes aeroportit të Kabulit. Në kërkim të një bilete shpëtimi ,disa humbën jetën, ndërsa ata që mundën t’i shpëtonin ferrit ishin mbi 130 mijë, të gjithë afganë që kishin bashkëpunuar me amerikanët ose misionet e tjera të huaja. Përpara mbylljes së dritares së shpresës ndodhi një sulm kamikaz në afërsitë aeroporti duke shkaktuar qindra viktima e të plagosur. Ndërsa SHBA reagoi ndaj grupimit ISIS-k, por fatkeqësisht goditi një familje të pafajshme.

Më pas vëmendja u përqendrua në Romë. Kryeqyteti italian mirëpriti udhëheqësit e ekonomive më të mëdha në botë, të cilët hodhën një monedhë në Fontana di Trevi, duke shprehur dhe një dëshirë, siç është tradita. Kjo u solli fat liderëve të G20-ës, që u pajtuan për vendosjen e një takse 15 për qind ndaj bizneseve të mëdha për fitimet e tyre. Propozimi erdhi nga Shtetet e Bashkuara për të adresuar shqetësimet se kompanitë po ridrejtojnë fitimet drejt vendeve me taksa të ulëta. Gjithashtu gjetën gjuhën e përbashkët edhe për ndërmarrjen e veprimeve të rëndësishme dhe të efektshme për të ruajtur rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius.

Por deklarata e samitit dyditor, nuk përfshiu synimin e qartë për arritjen e neutralizimit të emetimeve të karbonit në 2050-ën. Megjithatë kjo shtroi rrugën për një sukses të rëndësishëm. Në konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, COP26, që u mbajt në Glasgou të Skocisë, një sërë marrëveshjesh të rëndësishme u vulosën, ku synimi është ruajtja e planetit.

 “Kjo është një çështje urgjente jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë botën. Nëse do të bëja një krahasim do të thosha se mesnata është një minutë larg, koha po mbaron dhe secili duhet të bëjë më shumë”, deklaroi gjatë samitit kryeministri britanik Boris Johnson.

Raporte të ndryshme të OKB-së ngritën alarmin se me kushtet aktuale, katastrofat natyrore do të jenë diçka normale në jetën tonë. Marrë shkas nga kjo, qindra shtete pjesëmarrëse, përfshirë Shqipërinë, ranë dakord për një “ulje në faza” të prodhimit të energjisë së pandërprerë të qymyrit, një ulje prej 30% në emetimet e metanit deri në vitin 2030, një plan për ndalimin e shpyllëzimit deri në vitin 2030 dhe rritjen e mbështetjes financiare për vendet në zhvillim

.Mund të konsiderohet një sukses i madh në mbrojtjen e planetit, duke marrë në konsideratë që pjesë e konferencës për klimën ishin shumë përfaqësues të sektorëve ndotës dhe mungesa e prezencës së liderëve të Kinës dhe Rusisë, Xi Jinping dhe Vladimir Putin. Do të mjaftonte kjo mungesë prezence për të kuptuar që marrëdhëniet mes Lindjes dhe Perëndimit ishin në pikën më kritike që prej  periudhës së Luftës së Ftohtë. Këtë e konfirmon dhe tërheqja e apo dëbimi i përfaqësuesve diplomatikë të Rusisë në selinë e NATO-s dhe anasjelltas.

Në të njëjtën kohë, një krizë e re po merrte jetë. Mijëra emigrantë të paligjshëm nga Lindja e Mesme pushtuan vendkalimet kufitare mes Bjellorusisë dhe Polonisë. Retorika u ashpërsua aq shumë saqë nuk mungonte dhe  paralajmërimi për një luftë të mundshme.

Polonia akuzoi presidentin bjellorus, Aleksandër Lukashenko, se bashkë me Rusinë po fabrikonte një krizë për të dëmtuar sovranitetin e Bashkimit Europian. Ushtritë e të dyja vendeve ishin në gatishmëri, ndërsa Minskut i erdhën në ndihmë edhe disa avionë të Moskës. Rezultati: dhjetëra emigrantë humbën jetën, ndërsa të tjerët po mundohen t’i mbijetojnë të ftohtit.

Jo shumë larg nga aty, lindi dhe një krizë tjetër. Natyrisht, Rusia ishte e përfshirë. Me urdhër të presidentit, Vladimir Putin, u rreshtuan rreth 100 mijë ushtarë dhe mjete të rënda luftarake pranë kufirit me Ukrainën.

Kjo bëri që edhe Kievi të angazhojë gjysmën e forcave të armatosura duke i dërguar në zonë. Në ndihmë i erdhi edhe NATO, ku bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan në Detin e Zi dy luftanije. Kjo bëri që tensionet të përshkallëzoheshin. Në arenë do të dilte sërish fjala luftë.

Një raport i inteligjencës amerikane ngriti alarmin se Rusia është gati të sulmojë Ukrainën. Kjo shqetësoi jashtë mase Kievin, por edhe aleatët perëndimor. Në skenë dolën stërvitjet ushtarake nga të dyja palët, duke lënë të kuptohej se çdo të ndodhte në rast të një lufte.

Pjesë e fjalorit u bënë vijat e kuqe dhe paralajmërimet me ndëshkime të forta. Në distancë, Putin kërkoi që perëndimi të tërheqë trupat e saj nga kufijtë e Rusisë dhe që Ukraina të mos anëtarësohej në NATO. Kurse Aleanca Veri-Atlantike kërkonte garanci për shmangien e një pushtimi të mundshëm dhe largimin e ushtrisë ruse nga kufijtë e Ukrainës, në të kundërt e prisnin ndëshkimet më të forta financiare që bota ka parë deri më sot.

Distanca po ishtonte problemet dhe nuk po i zgjidhte. Kështu që presidentët e dy superfuqive globale ranë dakord për mbajtjen e një samiti, edhe pse ai do të ishte virtual. Për dy orë, Joe Biden dhe Vladimir Putin, qëndruan ballë për ballë me njëri-tjetrin duke diskutuar për një sërë temash, por me fokus të veçantë tek Ukraina. Të dy presidentët rreshtuan kushtet për zgjidhje të krizës, ndërsa pyetjes më të rëndësishme nëse ishte shmangur lufta ose jo, i dhanë këto përgjigje.

 “Është një pyetje provokuese. Rusia ndjek një politikë të jashtme paqësore. Por ka të drejtë të garantojë sigurinë e saj, siç e kam thënë dhe më parë, në perspektivat afatmesme dhe afatgjata”, deklaroi Putin. “Nëse ai pushton Ukrainën, do të ketë pasoja të rënda. Po flas për pasoja ekonomike siç nuk janë vendosur kurrë më parë. Ai e di dhe përgjigja e menjëhershme ishte se e kuptonte këtë”, u përgjigj Biden.

Gjatë vitit 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, mbajti dhe Samitin e Parë të Demokracisë duke mbledhur mbi 100 shtete të botës, përfshirë Shqipërinë. Të gjithë u zotuan të mbronin fjalën e lirë. Por ato fjalë që mbizotëruan gjatë vitit 2021 ishin: luftë, trazira, viktima dhe katastrofë, ndërsa e gjithë bota shpreson që ato të ndërrohen me paqe dhe vetëm paqe.