Droga nga Ekuadori, në Shqipëri kontejneri kaloi skanerin me 119 kg kokainë

Publikuar më: 31/12/2021, ora 13:25

Droga nga Ekuadori, në Shqipëri kontejneri kaloi skanerin me 119 kg kokainë

Publikuar më: 31/12/2021, ora 13:25

119 kilogramë kokainë u zbulua nga policia në një magazinë në Vaqarr të Tiranës fshehur mes arkave me banane të cilat kishin origjinë Ekuadorin.

Operacioni i koduar “Romanati” u finalizua mbrëmjen e së enjtes, ndërsa në pranga ranë 3 persona. Mësohet se kontejneri kishte kaluar transit në Itali ndërsa të dhënat e deritanishme nuk del se kemi të bëjmë me dorëzim të kontrolluar.

Fillimisht autoritetet italiane kanë konstatuar mungesën e vulës së kontejnerit, ndërsa pas kontrollit doli se brenda ngarkesës mungonin disa arka me banane.

Pas kësaj autoritetet fqinje kanë bërë mbylljen dhe riplumbosjen e kontejnerit por duke e shoqëruar atë dhe me një procesverbal lidhur me problemet që janë hasur.  

Ajo që dyshohet është se kontejneri mund të jetë hapur kur anija ka qenë në det para mbërritjes në port nga grupet kriminale të cilat kanë bërë të mundur dhe nxjerrjen e një sasie të kokainës.

Pasi ka mbërritur në portin e Durrësit, kontejneri i është nënshtruar skanerit por çuditërisht nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Rrugës për në magazinat në periferi të Tiranës, në Romanat, kamioni është ndaluar nga persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

Policia u njoftua nga përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve për episodin, e brenda ngarkesës u gjetën 119 kilogramë kokainë.

Në pranga ranë 2 shoferët e automjeteve të firmës, Gëzim Kalaja 31 vjeç dhe Hasan Salihu 63 vjeç dhe administratori i firmës së bananeve Marson Murataj, 34 vjeç.