Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Financat në vitin e dytë të pandemisë

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2021, 15:05 | Ekonomi
Financat në vitin e dytë të pandemisë

Ekonomi në rigjallërim e sipër, buxhet i rishikuar 6 herë dhe borxh publik i zgjeruar. Ushqime e produkte të shtrenjtura, paga e pensione në vendnumëro e shpenzime të paorientuara. Me këto dy fjali pohore do mund të përmblidhet me anë të fjalëve ekonomia shqiptare gjatë vitit 2021.

Pasi provoi recensionin për të dytën herë pas “vitit të mbrapshtë” 1997, gjatë vitit 2021 Shqipëria mori pak frymë, të paktën në një drejtim, atë të ekonomisë. Vendi u ringrit me shpejtësi, duke arritur nivelet e para krizës që në gjysmën e parë të vitit. 

Rimëkëmbja u mbështet edhe nga mungesa e masave kufizuese, si në muajt e parë të vitit, kur pandemia arriti kulmin, ashtu dhe në fund të tij, ndryshe nga pjesa më e madhe e shteteve të tjera, që rikthyen masat e pjesshme kufizuese.

Prodhimi i Brendshëm Bruto, sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përllogaritet në rreth 17,2 miliardë dollarë, vlerë kjo më e larta në vitet e fundit.

Konsumi u rrit me shpejtësi, reflektuar në shtimin e importeve dhe zgjerimin e ndjeshëm të të ardhurave doganore. Eksportet për 11-mujorin ishin 21% më të larta sesa periudha e para krizës, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave.

Të ardhurat në harkun e muajve janar-nëntor arritën në 4,3 miliardë dollarë, nga 3,6 miliardë që ishin në po të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Shpenzimet në 11 muajt e vitit kapin vlerën e 4,6 miliardë dollarëve, nga 4,2 në vitin 2020, duke shënuar kështu një rritje me 7,6%. Nga ana tjetër, administrimi i pandemisë, përveç tiparit që mbivendosi ekonominë ndaj shëndetit, edhe në ofrimin e mbështetjes ekonomike nuk favorizoi të voglin apo nevojtarin. 

Mirëpo, kjo ishte vetëm njëra anë e financave shqiptare. Ajo pozitivja. Në skajin tjetër, në 365 ditët e viti 2021, qeveria shtoi mbi shpatullat e shqiptarëve rreth 800 milionë euro borxhe. Detyrimet publike, së paku referuar shifrave zyrtare, kanë arritur në mbi 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke shënuar nivelin më të lartë të viteve të fundit.

Marrja e vijueshme e në shifra të konsiderueshme të huave nga qeveria bëri që në fund të vitit 2021, çdo shqiptar të kishte 4100 euro detyrime, kryesisht ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare.

Ekonomia shqiptare tregoi edhe një herë se mbahet në këmbë nga sektorë lehtësisht të cenueshëm, të varur nga faktorë të brendshëm e jashtëm. Sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia u rrit me gati 7% në tremujorin e tretë të vitit. Ritmet e rritjes u frenuan në raport me tremujorin e dytë të vitit, kur ekonomia ishte rritur me 18,3%.

Për studiues të ekonomisë, tanimë ka ardhur koha për ndërmarrjen e reformave strukturore, me qëllim kalimin e ekonomisë shqiptare në një tjetër epokë. Atë të konkurrueshmërisë.

Teksa mund të themi që viti 2021 u tregua bujar me ekonominë shqiptare, pandemia që ende nuk po ka fund, niveli i ulët i vaksinimit dhe brishtësia e financave shqiptare rrezikojnë ecurinë pozitive të financave në të ardhmen. Sfidë për vendin mbetet niveli i lartë i varfërisë, fenomen që ka prekur një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Nga ana tjetër, karantinat e imponuara për muaj të tërë zhbalancuan kërkesën dhe ofertën, dhe ndikuan në zinxhirin e furnizimit, me pasojat që po ndihen sot në rritjen e shpejtë të çmimeve.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani