Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Kokaina e kapur te bananet, Policia jep detajet e operacionit: Arrestohen 3 persona

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2021, 10:46 | Kronikë
Kokaina e kapur te bananet, Policia jep detajet e operacionit: Arrestohen 3

Policia e Shtetit dha këtë të premte detajet për operacionin e zhvilluar një ditë më parë, ku u sekuestruan mbi 100 kilogramë kokainë.

Sipas Policisë janë sekuestruar 119 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë dhe janë arrestuar 3 persona, Hasan Salihu, 63 vjeç, Gëzim Kalaja, 31 vjeç, banues në Tiranë, drejtues të automjeteve të firmës dhe Marson Murataj, 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një firme import-eksporti me vendet e Amerikës Latine.

Policia tha se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë ushtruar kontroll në kamionin që transportonte kontejnerin me lëndë narkotike. Ndërkohë, në bashkëpunim me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Detajet

Strukturat hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit kanë marrë informacion se disa persona ende të paidentifikuar kanë ndaluar në Romanat të Durrësit, një kamion që transportonte një kontejner të ngarkuar me banane nga porti i Durrësit, për një magazinë në Vaqarr.

Bazuar në informacionin e marrë, strukturat hetimore të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Romanati”.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve hetimore të koordinuara u bë e mundur gjetja e kontejnerit të ngarkuar me banane. Gjatë kontrollit në brendësi të tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 119 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se kontejneri ka kaluar transit në një port në Itali, ku autoritetet ligjzbatuese italiane kanë konstatuar mungesën e plumçes (vulës), për këtë arsye kanë ushtruar kontroll dhe kanë konstatuar mungesë të arkave me banane. Pas këtij konstatimi kanë mbyllur dhe riplumbosur kontejnerin, duke e shoqëruar me procesverbalin përkatës.  

Kontejneri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas veprimeve të zhdoganimit dhe kontrollit në skaner ka rezultuar i pastër dhe ka dalë nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të qytetit të Tiranës. 

Përgjatë rrugës nacionale Durrës – Tiranë, në vendin e quajtur Romanat, kamioni që transportonte kontejnerin është ndaluar nga persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe kontejnerin me banane dhe më pas janë larguar me shpejtësi pas kontrollit të kontejnerit. Për këtë situatë, përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani