Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Nata e ndërrimit të viteve, Manastirliu: Janë marrë të gjitha masat, ekipet shëndetësore në gatishmëri

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2021, 13:03 | Sociale
Nata e ndërrimit të viteve, Manastirliu: Janë marrë të

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga Spitali Universitar i Traumës ka deklaruar se për natën e ndërrimit të viteve dhe ditët në vazhdim janë marrë të gjitha masat që ekipet e shëndetësisë të jenë në gatishmëri të përforcuar për çdo emergjencë mjekësore.

“Gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë, ashtu sikurse në të gjitha ditët e vitit, sidomos në këtë vit pandemie. Të gjithë jemi të angazhuar maksimalisht, strukturat e Urgjencës Kombëtare nëpërmjet 127 janë në gatishmëri të plotë, ashtu sikurse edhe njësia e helikopterëve. Por nga ana tjetër, të gjitha spitalet janë të pajisura me të gjitha barnat dhe materialet mjekësore për të përballuar çdo emergjencë gjatë këtyre ditëve të festave. Njësitë e urgjencave në spitale kanë marrë masat për stafet në gatishmëri. Janë të vendosur përveç stafeve të përforcuara, edhe mjekët të cilët janë “on call” që thirren në rastet kur flukset mund të jenë të shtuara”, bëri me dije Manastirliu.

Ministrja Manastirliu apeloi për kujdes të shtuar nga qytetarët gjatë natës së ndërrimit të viteve.

“Ashtu sikurse kanë rekomanduar edhe Komiteti i Ekspertëve për të gjithë qytetarët, duhet të jemi shumë të kujdesshëm që festat të jenë në familjen e vogël. Të jemi të kujdesshëm për arsye të shmangies dhe të kufizimit të përhapjes së virusit, duke festuar me familjen e vogël, por duke garantuar që të jemi të gjithë të shëndetshëm nëpëmjet vaksinimit apo testit depistues në mënyrë që të shmangim qarkullimin e virusit. Nga ana tjetër, të gjithë duhet të jemi të sigurtë edhe përsa i përket mjediseve që do të frekuentohen, bare apo restorante për të zbatuar protokollet të cilat janë protokolle sigurie përsa i përket kapacitetit të bareve apo restoranteve, ajrosjes, ruajtjes së distancës”, apeloi Manastirliu.

A2 CNN Livestream

Dita jonë