“Open Balkan”, mes dëshirës e kundërshtive

Publikuar më: 31/12/2021, ora 15:59

“Open Balkan”, mes dëshirës e kundërshtive

Publikuar më: 31/12/2021, ora 15:59

Trinomi Tiranë-Shkup-Beograd, gjeti urat e komunikimit edhe përgjatë vitit 2021. Dy vjet pasi morën iniciativën për të krijuar “minischengen”-in ballkanik, liderët e tre shteteve të rajonit, hodhën një hap më tej, jo vetëm në organizimin e nismës rajonale, por edhe në kapërcimin e komplekseve të krijuara nga refuzimet e pjesës tjetër të shteteve fqinje.

Pranvera nuk ishte produktive në nismën rajonale. Pandemia në njërën anë, si dhe zgjedhjet parlamentare në Shqipëri bënë që në Tiranë, “minichengeni” të dilte në plan të dytë, por jo të harrohej.

Pas përfundimit të zgjedhjeve, Rama e mbajti fjalën dhe vijoi bashkëpunimin rajonal. Më 29 korrik, u zhvillua takimi i radhës në Shkup, ku palët u dakordësuan për lëvizjen e lirë të njerëzve, lejimin e punësimit të lirë në rajon, si dhe lehtësimin e procedurave të përkohshme të qëndrimit.

“Ky rajon s’mund të mbetet peng i së shkuarës në asnjë aspekt. Kush s’e kupton se sa të vegjël jemi të ndarë, për të rritur ekonomitë tona, për të hapur më shumë perspektivë me vende të mirëpaguara, është i dënuar të jetojë në të shkuarën. Ne duam të projektohemi në të ardhmen, përmes një nisme që nuk shpik asgjë të re në fakt, por thjesht sjell në këtë rajon një shembull kuptimplotë që është shembulli i BE-së”, shprehej Rama.

Në të njëjtën linjë, ishte dhe presidenti serb Vuçiç. “Dy vitet e kaluara kemi zhvilluar një besim të sinqertë mes nesh në kuptim të zhvillimit të marrëdhënieve në rajon dhe qasjen drejt Europës. Nuk jemi as torollakë, as naivë që të mendojmë se dikush mund të punojë për vendet tona, nëse nuk e bëjmë vetë këtë”, shprehej Vuçiç. Ndër ndryshimet e realizuara në këtë samit, ishte dhe ai i emrit të iniciativës, nga mini-shengen, në “Ballkani i Hapur’’, ndërsa palët nuk i kursyen ftesat për 3 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për t’u përfshirë në iniciativë.

“Sa herë duhet ta përsërisim që kjo nuk është nismë ekskluzive e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë? Kushdo që dëshiron mund të na bashkohet, por nuk mund të presim konsensus nga të gjithë për t’u takuar”, thoshte Rama.

Nga Kosova, përgjigjen Rama e mori shumë shpejt, nga vetë kryeministri Kurti.

“Duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, “Ballkani i Hapur” ngjan më shumë si “Ballkan i Hapur” për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse dhe Kina, si dhe “Ballkan i Hapur” për autokracinë, korrupsionin, kriminelët e luftës, siç e dimë që vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por jo pak prej tyre edhe në pushtet”, shprehej Kurti.

Debati mes dy liderëve, u zhvendos në Tiranë, në mes të muajit shtator, kur kancelarja Merkel, zgjodhi kryeqytetin e Shqipërisë, për të bërë vizitën e saj të fundit në detyrë, ku dha dhe mesazhet për iniciativën.

“Përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal me katër marrëveshjet, edhe pse jo të gjithë janë duke bashkëpunuar. Sot, kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunoni, aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit”, shprehej Merkel.

Ndonëse Merkel nuk mbështeti hapur emërtesën “Open Balkan”, qartësisht nuk e kundërshtoi atë. Mjaftueshëm për kryeministrin Rama që të ashpërsonte fjalët ndaj homologut të Prishtinës, duke folur për konspiracion.

“Nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse kishte paragjykimin që nëse ne fusnim lëvizjen e lirë të njerëzve, si një nga elementet, atëherë lëvizje e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të ishte e garantuar. Dhe faktikisht sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri dhe bën teori konspiracioni për Open Balkan”, shprehej Rama.

Kurti jo vetëm që nuk u impresionua, por në kundërpërgjigjen e tij foli për sovranitet në raportet me Tiranën zyrtare, sa i përket vendimeve të tilla.

“Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, shprehej Kurti.

Përballë trekëndëshit Shqipëri-Serbi-Kosovë, Maqedonia e Veriut duhet të ruajë ekuilibrat e saj të brendshme, edhe etnike, që duket se reflektohet në mesazhet e ministrit të Jashtëm të Shkupit, teksa mundohet të shuajë shkëndijat mes shqiptarësh.

“Kosova është shtet sovran dhe vlerëson vetë se ku bën pjesë. Unë mendoj që kjo duhet të përfshijë të gjithë rajonin, por kjo nuk do të thotë se duhet të bëjmë shpjegime që të bindim të tjerët. Unë them ta shohim si projekt pilot, ku janë 3 shtete. Nëse të gjithë e vlerësojmë si iniciativë e mirë, të gjithë do të futemi, nëse rezulton e kundërta, do të dalim. Nuk është fundit i botës të jesh apo jo brenda rajonit. Rajoni ka nevojë për bashkëpunim e integrim tregu, si fazë përgatitore deri në anëtarësim në BE. Duhet të japim shembullin e mirë për vendet që kanë dyshimet, dhe të bëjmë shpjegimet se nuk është ndonjë iniciativë që po hyre, s’del dot”, shprehej Bujar Osmani/ Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.

Dorëheqja e Zoran Zaev në fund të tetorit, një nga 3 shtyllat e protagonistëve të “Open Balkan”, nuk frenoi iniciativën, me kryeministrin që zëvendësohet në takime nga Nikolai Dimitrov, pa ndryshuar qasje.

Më 4 nëntor, liderët u takuan në Beograd, ku në një darkë informale, iu bashkua papritur dhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapicc.

Pavarësisht vizitës, Krivokapiç nuk pranoi që Mali i Zi t’i bashkohej tre vendeve të tjera, duke nxitur Edi Ramën të bënte batuta me procesin e integrimit europian të fqinjit verior.

“Kur ta fusin në Bashkimin Europian, jam i bindur që ai do e mbështesë “Ballkanin e Hapur”, se ne na shikon si vende që jemi më mbrapa. Nëse ai nuk futet në Bashkimin Europian, ne i kemi thënë bujrum, hajde, futu këtu tani se Bashkimin Europian nuk e detyrojmë ne, se kur na fut brenda, ama ne i kemi borxh njerëzve që të krijojmë këtu hapësirën europiane”, tha Rama.

Por, për shqiptarët e Malit të Zi, kjo deklaratë ishte justifikim i kryeministrit të tyre ndaj tre liderëve të Ballkanit të hapur.

“Kryeministri pothuajse nuk e kalon asnjë ditë pa sjellë një deklaratë për humor, sepse nuk është e pranueshme që një kryeministër, pa pasur asnjë parametër që të tregojë se Mali i Zi është afër integrimit europian, të deklarojë një gjë të tillë në një nivel aq të lartë”, shprehej Nikollë Camaj, kryetari i Partisë “Lidhja Demokratike Shqiptare në Mal të Zi”.

Vijimi i nismës në Beograd, solli reagim edhe më të ashpër e akuza të shumta për kryeministrin Rama, kryesisht nga Kosova.

“Prej dy vjetësh kjo iniciativë po ecën në mënyrë të reduktuar dhe me shumë kundërshti. Dhe sot nuk ka pasur gjëra të reja, përveç vlerave të Ballkanit përmes nismave të reja rajonale që janë nën ombrellën e BE-së. “Ballkanin e Hapur” e shoh si një përpjekje për të krijuar një Neo-Jugosllavi, por po shoh që “Ballkani i Hapur” duhet të ndërrojë emrin dhe të jetë “Ballkani i Hapur” për hegjemoni serbe në Ballkan me ndihmën e Rusisë. Ky takim i treshes për t’i krijuar idenë që janë bashkëpunues  dhe brengosen për rajonin. Serbia nga ana tjetër, e mbështetur nga Rusia po destabilizon Bosnjën, tensionet janë në pikën e vlimit me rrezik të shpërthimit të konflikteve”, shprehej Edita Tahiri.

Më i ashpër në qëndrim ishte Sali Berisha, i cili më 20 dhjetor, në ditët e vizitës së presidentit Vuçiç në Tiranë, thirri një protestë në bulevard, për të kundërshtuar nismën, ndërsa premtoi se do ta zhbëjë atë, me ardhjen në pushtet të demokratëve.

Pavarësisht incidenteve me djegien e flamurit serb, samiti i Tiranës u zhvillua normalisht, me liderët që firmosin 5 marrëveshje mes tyre, ndër të cilat ato për akses të lirë në tregun e punës, identifikimin biometrik të qytetarëve dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, duke u munduar që ta bëjnë më konkret “Ballkanin e Hapur”.

“Që nga janari, do të fillojë implementimi i tyre, nuk flasim këtu për të ardhme, por për të tashme. Medaljen nga skena të kryeministrit Zaev, vijueshmëria e projektit u garantua nga prezenca në takim e pasuesit në drejtimin e Qeverisë së Shkupit, Dimitar Kovacevski”, shprehej Rama.

Në këtë takim, Vuçiç foli edhe për një përmirësim të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, në rast se kjo e fundit i bashkohet iniciativës.

“Ne kemi pikëpamje të ndryshme për Kosovën. Por kjo nuk është arsye që ne të mos flasim, apo dikush mos të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur”, ne mund të përmendim pikat e kalimit kufitar në Jarinjë, midis Kosovës dhe Serbisë, apo drejt Luginës së Preshevës apo Serbisë qendrore. Por të flasim për thelbin. A do të jetë më e lehtë për shqiptarët e serbët, nëse nuk do të kishte kufij apo radhë që njerëzit të lëviznin lirisht? A do të ishte më e lehtë që të mos ishin? Nuk besoj që ka njeri që nuk do të binte dakord me këtë që po them. Nuk e mendoj që është produktive për mua që të ftoj Prishtinën, se do të thonë meqë e bën ai ftesën, nuk do të vijmë”, tha Vuçiç.

Përballë ngacmimit të Edi Ramës për të folur në shqip, Vuçiç u angazhua për ta mësuar atë në të ardhmen, por kaq nuk mjafton për të fshehur mungesën e sinqeritetit të Beogradit, sipas diplomatit Lisien Bashkurti.

“Ballkani i hapur nuk gëzon mbështetje rajonale, vetëm trojka e Ballkanit e mbështet. Është një nismë në ajër, më shumë sesa mbështetje politike e gjerë”, shprehet Lisien Bashkurti.

Në Prishtinë, pakkush ka ndryshuar qasje, e po ashtu edhe në Mal të Zi, e Bosnjë-Hercegovinë, por kjo nuk i ndalon 3 liderët të vijojnë iniciativën e tyre, në përpjekje për të bindur skeptikët që të vetëbashkohen. Për takimin e radhës, në Shkup, ku do të mbahet dhe samiti në muajin shkurt, liderët kanë vendosur që të ftojnë dhe Italinë, Greqinë e Hungarinë, si për t’u treguar fqinjëve se në tregun e bashkëpunimit, mund të gjenden edhe mundësi më të mira, se ai brenda kufijve rajonalë.