PD-LSI, nga “rikthimi i shpresës” te divorci

Publikuar më: 31/12/2021, ora 18:39

PD-LSI, nga “rikthimi i shpresës” te divorci

Publikuar më: 31/12/2021, ora 18:39

“Rikthimi i shpresës tek Shqiptarët” ishte emëruesi i përbashkët mes PD dhe LSI në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit me palët që deklaruan bashkimin e forcave për t’i bërë ballë atij që e cilësonin si regjimi i Edi Ramës. Strategjia përfshiu një marrëveshje 13 pikëshe me fokus nxjerrjen e vendit nga kriza të cilën e nënshkruan para çeljes së fushatës.

Kryetarët e dy forcave opozitare u zotuan se do linin pas ndasitë ideologjike për t’u bërë bashkë kundër qeverisë Rama. Martesa PD-LSI mbeti vetëm në letër pasi fushata zgjedhore që pasoi firmosjen e marrëveshjes paraqiti një tjetër panoramë. PD e çeli fushatën e saj në sheshin Nënë Tereza, por në ceremoninë e hapjes u vu re mungesa e aleatit kryesor në opozite që kishte zgjedhur që ofensivën ta niste nga Divjaka. Numërimi mbrapsht drejt 25 prillit tkurrej nga dita në ditë dhe pyetja që ngrihej ishte: A janë bashkë të gjithë aleatët opozitarë?

Më shumë sa për sy e faqe, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi u shfaqën vetëm një herë të vetme së bashku mes rrugicave të Kombinatit në orët e mbrëmjes, me banorët që kishin humbur shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Por as dalja së bashku nuk u dha fund dyshimeve për një ndarje të aleatëve më të mëdhenj në frontin opozitar. Zërat për një krisje të koalicionit opozitar u shtuan akoma më shumë në mbyllje të fushatës kur të dyja palët dolën me mitingje të ndara edhe pse kauza e tyre ishte e njëjtë: largimi i Edi Ramës nga zyra kryeministrore.

Dalja me 2 lista kandidatësh ishte një tjetër pikë ku forcat me të mëdha të opozitës u ndanë. Argumenti i tyre ishte se të ndarë do kishin mundësi që të merrnin më shumë mandate. Por rezultati i 25 prillit ishte kokëfortë dhe prodhoi një tjetër realitet.

Hendeku mes PD dhe LSI u thellua akoma më shumë pas 25 prillit. Deklaratat pas rezultatit paraprak ngjasonin me ndarje përgjegjësish ku njëra palë fliste për masakër elektorale ndërsa tjetër e vinte gishtin në plagët e së shkuarës siç ishin djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale. Mllefi që palët kishin akumuluar ndaj njëra tjetrës ende nuk e kishte mbushur kupën por paralajmëronte se ishte shumë pranë shpërthimit. Shkëputja e marrëdhënieve u pa akoma më qartë kur PD vendosi të mos marrë në konsideratë deputetët e LSI kur propozoi përbërjen e komisioneve parlamentare, çka detyroi nënkryetarin e LSI, Petrit Vasili, që të kërkonte kohë për të dorëzuar emrat në komisionet përkatëse. 

Injorimi reciprok vijoi me krijimin e grupeve parlamentare. Basha u tregua zemërgjerë me aleatët e tjerë si Mediu dhe Idrizi të cilëve u dha deputetë borxh për të kapur shifrën e 7 parlamentarëve që lejojnë krijimin e një grupi parlamentar më vete, shoqëruar me benefitet përkatëse. Ndërsa LSI me 4 deputetët e saj, ndonëse forcë e dytë opozitare në rang votash, nuk u ndihmua që të krijonte grupin e saj parlamentar.

Muajt e mërisë në heshtje mes dy forcave kryesore të opozitës morën fund në momentin që nisën akuzat e hapura ndaj njëra-tjetrës për rezultatin humbës në zgjedhjet e fundit dhe strategjitë e gabuara që çuan në të. Gjithçka nisi me sekretarin e përgjithshëm të PD, që tregoi se LSI refuzoi 15 mandate të sigurta në listë të përbashkët me demokratët. “Partia Demokratike i ka ofruar LSI-së 15 mandate, ata thanë që do marrin 34. U thashë që në Elbasan nuk merrni mandate, më thanë që ne marrim 3 ju 2”, do të deklaronte Gazment Bardhi.

Deklaratat e tij nuk u pritën mirë nga kryetarja e LSI, e cila jo vetëm mohoi ofertën, por akuzoi Bashën se e ka mashtruar me garancitë që i kishte dhënë për djegien e mandateve. Listës së mashtrimit, që për djegien e mandateve do t’i dilte në krah kancelarja Merkel dhe PPE, iu shtua tashmë publikisht edhe kjo e 15 mandateve të ofruara.

Kjo përplasje mes dy partive kryesore të opozitës sipas analistëve e çon ujin në mullirin e Ramës. Sikur mos të mjaftonte përplasja me LSI, Lulzim Basha ka krijuar pakënaqësi edhe tek aleatët e tij tradicionalë. Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka tha në A2CNN se edhe bashkëpunimi me PD ne zgjedhje ishte i sforcuar nga rrethanat politike. “U detyruam të futemi në një listë të përbashkët. Nuk është se pati ndonjë bashkëpunim, por qe një gjë e sforcuar duke menduar që të dy palët patën interes”, tha ai. Ndërsa Nard Ndoka, zemërimin me kryedemokratin e ka më të madh për shkak se nuk u përfshi në listën fituese në Shkodër. “Sakrifikuam që ta rrisnim si lider që të fitonte zgjedhjet. Na ka mashtruar me djegien e mandateve, duke deklaruar se kishte mbështetjen e gjermanëve. Na mashtroi me zgjedhjet lokale”, tha ai.

Sfidat e ardhshme elektorale, sado larg duken për momentin, vendosin Partinë Demokratike përballë nevojës për të arnuar marrëdhëniet me protagonistët e tjerë të kampit opozitar. Pa data elektorale në mes, 2022 duket si vit i qetë, nëse Ilir Meta gjithashtu në kurs përplasjeje me Lulzim Bashën, nuk vendos të afrojë sprovën e kutive të votimit në 6 bashkitë pa kryetar.