Rikthimi i Sali Berishës

Përditësuar më: 31/12/2021, ora 17:51

Rikthimi i Sali Berishës

Përditësuar më: 31/12/2021, ora 17:51

Në 19 Maj Sali Berisha u bë personi më i rëndësishëm për nga pesha e posteve që ka mbajtur si ish- president dhe ish-kryeministër me përcaktimin “non grata” nga SHBA. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken në arsyetimin e tij akuzonte Berishën për korrupsion dhe minim të demokracisë.

“Aktet korruptive të ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha kanë minuar demokracinë në Shqipëri. Po e shpall Berishën dhe anëtarët e afërt të familjes së tij si të papranueshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”

Antony Blinken, Sekretari Amerikan i Shtetit

Në njoftimin e Departamentit Amerikan të shtetit, lideri historik i Partisë Demokratike ndër të tjera akuzohet për përfitime në kurriz të qytetarëve shqiptarë përgjatë drejtimit shumëvjeçar të vendit, që kanë pasuruar atë vetë, familjarët dhe aleatët e Berishës.

“Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë”

Departamenti Amerikan i Shtetit

Si mbrojtjen më të mirë, Sali Berisha zgjodhi sulmin dhe vendosi që me akuzat e amerikanëve të përballej në gjykatë, ku paditi për shpifje shefin e politikës së jashtme të Uashingtonit.

 “Kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral në Francë që të ngrejë ndaj zoti Blinken padi për shpifje publike. Blinken mund të pretendojë ndoshta se sipas rregullave si Sekretar Shteti, ai ka imunitet. Kjo është gënjeshtër. Imuniteti fitohet nga gjykatat, në mënyrë relative, që do të thotë se Blinken ka imunitet kur kryen akte normale si përfaqësues i qeverisë së vendit të tij. Asnjë qeveri, cilado qoftë ajo, nuk mund të ketë funksion shpifjen dhe përbaltjen. Pra, sipas avokatit tim, zoti Blinken nuk është i mbrojtur nga asnjë imunitet. Ndaj, do të paditet dhe dënohet nga Gjykata e Parisit, në të cilën është ngritur padia nga avokati im”

Sali Berisha, ish-president dhe ish-kryeministër

Në atë kohë, politikisht e mori në mbrojtje Lulzim Basha që, ende pa u bërë publik lajmi i padisë, shprehu keqardhje për vendimin dhe duke përdorur fjalët e atit politik, kërkoi prova nga SHBA për të faktuar akuzat ndaj Sali Berishës. “U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Duke nënvizuar qëndrimin e z.Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”, deklaronte Basha.

Ai ishte i vetëdijshëm për tërmetin që vendimi do të shkaktonte brenda radhëve të demokratëve, ndaj dhe para se të ndërmerrte hapat që i kërkonin diplomatët amerikanë që vizituan zyrën e tij, mendoi të shfrytëzonte edhe njëherë ombrellën që për 8 vjet Berisha i kishte ofruar brenda partisë. Pasi afroi zgjedhjet për kryetar, u shfaq i buzëqeshur në Kuvendin e demokratëve krah atit për të cilin kishte shpjeguar dhe me shkrim përse nuk duhej vrarë.

Pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme, Basha arriti të rikonfirmohej në krye të partisë edhe falë heshtjes së Sali Berishës deri në ato momente, ndonëse pakënaqësitë e demokratëve ndaj tij perceptoheshin hapur.

Nga ana tjetër, amerikanët nuk e kishin harruar shpalljen “non grata” të Berishës dhe presioni I tyre mbi kreun e sapo zgjedhur të PD sa vinte e shtohej. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, vetëm disa ditë para nisjes së sesionit parlamentar para shkallëve në selinë e partisë demokratike bëri publike kërkesën që më herët i ishte bërë Bashës nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit për ta përjashtuar Berishën. Diplomatja që shpesh mburret se nuk përdor taktin e diplomatit, zgjodhi të fliste nga shkallët e PD-së me sloganet e Enver Hoxhës. “Një parti nuk mund të hajë bar për hir të interesave të një njeriu të vetëm”.

Pakorë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, Basha tregoi se laku në fut kishte funksionuar. Me një mesazh të regjistruar televiziv, tregoi vendimin që kishte marrë, por u kujdes që të lartësonte edhe njëherë figurën e Berishën, duke përsëritur keqardhjen për vendimin e Uashingtonit.

Një vendim që shkaktoi një efekt domino dhe vuri sërish në lëvizje Sali Berishën i cili, pas 8 viteve në pension politik vendosi të thyente heshtjen duke akuzuar drejtpërdrejt Lulzim Bashën për marrëveshje të fshehtë me Edi Ramën në atë që ai e cilësoi si pengmarrje të kreut të opozitës.

Vendimi i Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar riktheu edhe një herë në skenën politike aktive Sali Berishën i cili nisi takimet me bazën e demokratëve në atë që e pagëzoi si Foltore për një PD më të fortë, më të bashkuar dhe më të hapur. Me mbështetjen që sa vinte edhe i shtohej lideri historik i demokrateve shprehu hapur ambicien për të rimarre drejtimin e partisë.

Pak e prisnin që iniciativa e Berishës të ngjiste. Mes tyre dukej se ishte edhe Lulzim Basha që luajti kartën e injorimit, fillimisht, duke shoqëruar me heshtje akuzat që i vinin. Por nga Foltorja në Foltore Berisha vijoi ashpërsonte gjuhën kundër kryetarit të partisë duke i përmendur atij edhe ato që ai i konsideronte si dosje të pengmarrjes.

Tonet e ashpra nuk i kurseu as ndaj përfaqësues së SHBA në Tiranë Yuri Kim duke i rikujtuar barin që ajo iu kishte përmendur demokratëve nga selia e partisë së tyre. Ofensiva e ashpër e Sali Berishës dhe sallat që mbusheshin plot, nxorën nga vetja edhe Lulzim Bashën. Kryedemokrati përfshiu njeriun që e kishte promovuar më shumë se kushdo në politike në atë që cilësoi si “Trekëndësh të Bermudës” që sipas tij ishte sinonimi I te keqes për Shqipërinë, duke hapur njëkohësisht edhe një tjetër front lufte me Ilir Metën.

Kur e kuptoi se nuk të qëndronte më indiferent, Basha nisi të përjashtonte njerëzit që i kishin dalë kundër, duke u renditur krah Berishës. I pari ishte flamur Noka, por qasja do të vijonte edhe me të tjerë. Retorika e ashpërsuar nga ana e Bashës dhe njerëzve pranë tij nuk e ndaloi lëvizjen e Berishës i cili tashmë kishte qartësuar manovrën e tij politike dhe kishte nisur mbledhjen e firmave të delegatëve për të thirrur kuvendin kombëtar të PD. Plot 4200 formularë u depozituan në zyrën e kryetarit të këshillit kombëtar dhe 11 dhjetori, dita e krijimit të PD u caktua si data në të cilën kjo forcë politike sipas Berishës do të rithemelohej.

Vlerat konservatore, mbështetje te familja, vëmendja e rikthyer te ish-të përndjekurit ishin disa nga pikat kryesore mbi të cilat Berisha premtonte se do të rihidhte themelin e forcës më të madhe të opozitës, të cilën kishte ndërtuar mbi 30 vjet më parë. E pikërisht ringritja e PD nisi në 11 dhjetor ku ish kryetari në “Air Albania Stadium” mblodhi delegatët kuvendin e partisë.

Kuvendi vendosi ngritjen e një organi që u quajt komisioni i përkohshëm i rithemelimit që përbehej nga 29 anëtarë dhe kishte si detyre drejtimin ekzekutiv të partisë deri në riorganizimin e plotë brenda datës 22 mars.

Me vendimin e kuvendit të shpallur dhe me bindjen se pas vetës kishte shumicën e demokratëve, Sali Berisha u shfaq në selinë e partisë demokratike për herë të parë që pas përjashtimit nga grupi parlamentar. Një lëvizje që detyroi Bashën që kyçej në zyrën ngjitur me atë ku Berisha po mbante mbledhjen e parë bashkë më komisionin e rithemelimit.

Nga ky moment, Basha harroi librin që kishte shkruar për Sali Berishën dhe të gjithë fjalët e përdorura më herët për vlerësimin e tij. Në kurriz të ish-kryeministrit u hodhën të gjitha fajet e dështimet e PD-së, ndërsa gishti u vendos në plagë ku edhe vetë Basha kishte qenë protagonist.

Një javë më pas, ishte Basha që tentoi organizimin e një Kuvendi, duke pretenduar se arriti të bënte bashkë mbi 5000 delegatë, në një sallë që mban 2000 persona. Në të njëjtën ditë, Berisha kishte thirrur anëtarësinë e demokratëve të shpreheshin me votë mbi fatin e Bashës. Aty ku nuk u lejua përdorimi i selisë, u gjetën ambiente të tjera pranë, për të evituar konfliktet, ndërsa ajo që duhej të ishte qendra kryesore e votimit, u zhvendos simbolikisht pranë Bar Amerika, vetëm pak metra larg Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Dy kuvendet e dhjetorit acaruan më shumë situatën në PD me palët që nuk njohin njëra-tjetrën dhe me Bashën që vendosi të ndërronte të gjitha bravat e dyerve në Selinë Blu për të vështirësuar ardhjen e komisionit të rithemelimit. Vizita në Tiranë e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të nismës “Open Balkan”, i dhanë mundësinë Berishës jo vetëm të merrte rolin e kryetarit të opozitës duke organizuar një protestë, por dhe të shënonte një ndarje të qartë linja e Bashës.

Aksioni nuk u ndal vetëm në shesh. Bashës iu bë e qartë se ndryshimi i bravave nuk do të funksiononte, ndërsa iu komunikua ultimatumi për lirimin e zyrës brenda datës 5 janar. Fjalë që nuk e shqetësuan aspak kryetarin Basha, i cili u shpreh hapur se nuk ka në plan që të lëshojë karrigen e kryetarit të partisë.

Në tavolinën e Vitit të Ri, demokratët do ulen te ndarë, një pjesë në anën e kryetarit basha epjesa tjetër me liderin historik Berisha. Janari parashikohet të jetë i nxehtë. Në datën 8 janar Berisha ka thirrur protestën e radhës, kur ka thënë se do të drejtojë demokratët në selinë e PD për të larguar Lulzim Bashën nga karrigia e kryetarit.