Tragjedia në mal, homazhe dhe vlerësim për promovuesin e alpeve, Ndoc Mulaj

Publikuar më: 31/12/2021, ora 10:18
271012918 4931580346901758 156868356168282782 n

Tragjedia në mal, homazhe dhe vlerësim për promovuesin e alpeve, Ndoc Mulaj

Publikuar më: 31/12/2021, ora 10:18

Dhjetëra miq, kolegë e bashkëpunëtorë të Ndoc Mulajt, janë shprehur homazhet e tyre për alpinistin i cili humbi jetën mbrëmjen e të enjtes në Malin e Munellës në Pukë.

Gjatë një ekskursioni në mal bashkë me eksploratorin Ilir Shyti dhe gazetarin Alfred Lela, për shkak të kushteve të rënduara atmosferike, ata u aksidentuan duke rënë në një humnerë. Ndërsa Lela dhe Shyti u shpëtuan nga skuadrat e shpëtimit dhe banorë të zonës, trupi i Mulajt u gjet i pajetë pas disa orë kërkimesh.

“Dashuria për natyrën sjell dhe sakrifica e sfida si ajo që mbrëmë tronditi Pukën dhe mbarë opinionin publik. Ngushëllime dhe një herë familjes Mulaj!”, shkruhet në një postim të Bashkisë në Facebook.

“Pasioni, energjia dhe dashuria e tij për alpet aq të dashura me të cilat do të kishte edhe takimin e fundit na copëtoi zemrat sonte. Humbja është e gjithë kombit, jo vetëm e familjes dhe rrethit të ekspertëve që patëm fatin ta njihnim”, tha ministrja e shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali.

“Mirupafshim përtej reve Ndoc! Na idhtove fort kët fundvit mor mik i dashtun, mor Ndoci i Alpeve!

A e di si po me duket? Sikur janë mbledhë majat e alpeve, Shalë, Shosh, Nikaj e Mërturë, Jezerce, Munellë e Zepë e po të vajtojnë: “I mjeri unë për ty o vllau jem!” Pushofsh në paqe Ndoc!”, shkroi Dom Gjergj Meta.

Në muajin nëntor, Mulaj tregoi për A2 CNN punën që po bënte në zonat e malësisë për të markuar shtigjet e alpinistëve, me qëllim promovimin e turizmit në veri të Shqipërisë. “Të gjitha shtigjet në Shqipëri kanë qenë dikur rrugë për kalim, ne nuk hapim shtigje të reja, ruajmë dhe markojmë ato të vjetrat. Turistët e huaj, por tashmë edhe ato shqiptarë e njohin gjuhën e markimit, me ngjyrë të bardhë dhe të kuqe”, shpjegonte Mulaj. “E vetmja këshillë është që të ndjekin shenjat, dhe mos të largohen më shumë se 100 metra, nga shenjat, përndryshe të kthehen mbrapa dhe të kërkojnë në anën tjetër”.