Italia, nga triumfi në Euro, te frika e Botërorit

Përditësuar më: 1/1/2022, ora 13:32

Italia, nga triumfi në Euro, te frika e Botërorit

Përditësuar më: 1/1/2022, ora 13:32

Viti 2021, i ktheu Italisë shkëlqimin e munguar në arenën ndërkombëtare. Në vitet e fundit, janë të paktë ata që i kujtonin të kaltrit kaq spektakolarë, dominues në fushë dhe triumfues të padiskutueshëm.

Skuadra e Mancinit shkëlqeu në Europianin e vitit 2020 të shtyrë prej pandemisë, duke bërë që në korrik të shpërthente festa në të gjithë Italinë.

Rikthimi te titulli kampion i Europës, për më tepër kundër Anglisë në stadiumin mitik Wembley, ishte kulmi i një ecurie perfekte, të karakterizuar nga rekordi i ndeshjeve pa pësuar humbje.

Kjo ishte pika më e lartë e një misioni që fillimisht dukej i pamundur, pas zhgënjimit të Italisë me trajnerin Ventura në stol, me skuadrën që nuk arriti të luante në Kupën e Botës.

Ata që futbollit i kanë dedikuar jetën, e kanë të qartë që perfeksioni në këtë sport, nuk ekziston. Por në gjysmën e parë të vitit 2021, përfaqësuesja italiane i shkoi fare pranë. Prej ndeshjeve kualifikuese të Botërorit në muajin mars, kundër Bullgarisë dhe Lituanisë, të kaltrit e rritën në 11 numrin e fitoreve me radhë, pa pësuar asnjë gol. Ecuri që zgjati deri në 1/8 e Kampionatit Europian kundër Austrisë.

Ekipi i Mancinit ishte një makineri perfekte golash, e cila e qarkullonte mjaft mirë topin dhe praktikonte një futboll tejet sulmues, diçka e pazakontë për karakteristikat e skuadrës. Pikërisht për këto arsye, edhe pse me një cikël të ri lojtarësh dhe emra jo të nivelit më të lartë, Italia e nisi Euro 2020, si një prej skuadrave favorite. Dëshira për fitore, organizimi perfekt dhe vetëbesimi i skuadrës ishin bazat për të shkruar historinë.

Faza finale e eventit më të rëndësishëm kontinental nisi në mënyrë emocionuese me fitoren 3-0 kundër Turqisë në impiantin Olimpico të Romës. Ajo ndeshje u shoqërua nga sukseset 3-0 me Zvicrën dhe 1-0 përballë Uellsit në fazën e grupeve. Entuziazmi i paraqitjeve elektrizuese, nuk ndikoi vetëm te skuadra dhe tifozët, por bëri që Italia të vlerësohej nga i gjithë opinioni.

Në fazën e 1/8, ekipi vuajti përballë një kundërshtari mjaft të fortë fizikisht si Austria. Golat e Chiesa dhe Pessina i dhanë suksesin të kaltërve në kohën shtesë, teksa edhe fati i ndihmoi, me golin e anuluar të Arnautovic, për pak centimetra jashtë loje.

Në rrugëtimin e saj drejt Wembley-t, Italia nxori nga gara Belgjikën e yjeve De Bryune dhe Lukaku, një skuadër që mbetet favorite në letër, por që vazhdon të zhgënjejë në turnetë madhorë. Barella dhe Insigne vulosën suksesin 2-1 përballë Djajve të Kuq, me dy gola të shkëlqyer, përpara 11-metërshit të shënuar nga Lukaku, që gjithsesi nuk ndikoi në rezultat.

Në gjysmëfinale, Italia u vendos përballë Spanjës, kundërshtarit më të rrezikshëm, prej mënyrës së lojës së ekipit të Mancinit. Jo rastësisht, Furia e Kuqe e dominoi përballjen në Londër, por pas kontrollit të gjatë të topit për afro një orë dhe rasteve të shpërdoruara, iberikët nuk kishin bërë llogaritë me Chiesa-n.

Të djathtës fituese të yllit të Juventusit, Spanja iu përgjigj me golin e barazimit të Morata-s, në dhjetë minutat e fundit të sfidës. Barazimi shërbeu vetëm për të zgjatur agoninë, por nga ekzekutimi i penalltive, Italia ishte perfekte, duke siguruar biletën për finalen në Wembley, kundër vendasve të Anglisë.

Një finale që dukej se ishte e vulosur. Me stadiumin të mbushur plot, në Angli prisnin triumfin e parë të Tre Luanëve prej vitit të largët 1966. Megjithatë, yjet në fushë ishin italianët. Bonuçi, që barazoi rezultatin pas golit të shpejtë të Shaw dhe portieri Donnarumma. Me penalltitë që u neutralizoi Sancho-s dhe Saka, Donnarumma i dhuroi Italisë titullin europian.

2021-shi i Italisë vendosi edhe një rekord historik. Me 37 ndeshje pa pësuar humbje, prej shtatorit të vitit 2018, të kaltrit regjistruan një primat absolut, më të gjatin në historinë e një ekipi përfaqësues në ndeshje zyrtare.

Gjithsesi, jo gjithçka që shkëlqen është flori. Nëse gjysma e parë e vitit, që kulmoi me triumfin në Wembley ishte i paharrueshëm, pas verës së lodhshme erdhën edhe rezultatet zhgënjyese.

Italia nuk arriti të siguronte kualifikimin në Kupën e Botës 2022, duke i dorëzuar Zvicrës biletën drejt evenimentit në Katar. Tashmë të kaltrit duhet të luajnë në play-off. Rruga nuk do të jetë e lehtë. Pas Maqedonisë së Veriut në ndeshjen e parë, më pas Italia duhet të kalojë fituesen e çiftit Portugali-Turqi jashtë fushe. Shpresa është se ekipi i Mancinit do të rigjejë shkëlqimin e Europianit dhe nuk do të humbasin një tjetër edicion të turneut më të rëndësishëm në botë.