Një vit i çmendur në Formula 1

Publikuar më: 1/1/2022, ora 16:35

Një vit i çmendur në Formula 1

Publikuar më: 1/1/2022, ora 16:35

Spektakolare dhe emocionuese mund të konsiderohet padyshim, lufta e titullit në Formula 1, këtë edicion. Maks Verstapen, arriti të thyejë hegjemoninë e Lewis Hamilton, prej 4 vitesh radhazi që triumfonte si piloti më i mirë.

Një triumf aspak i lehtë për holandezin, i cili arriti të fitojë vetëm në garën e fundit të Abu Dabit. Hamilton e mbajti vendin e parë, pjesën më të madhe të garës, ndërsa fati e tradhtoi atë vetëm në xhiron e fundit. Verstappen arriti të parakalojë pilotin e Mercedes dhe të mbyllë klasifikimin me 394,5 pikë, ndërsa Hamilton mbeti i dyti me 385 pikë.

Dy pilotët vinin në garë me pikë të barabarta, çfarë e bëri dhe më emocionues përballjen  e tyre deri në fund. Pas garës Verstappen u shfaq i emocionuar, ndërsa nuk përmbajti dot as lotët. “Është çmenduri. Nuk di çfarë të them. Jam shumë i kënaqur për ekipin dhe për të gjithë këta djem. Më pëlqen shumë të punoj me ta. Më në fund, sot pata pak fat. Ekipi im e di që i dua dhe dua ta bëj këtë me ta, për 10 ose 15 vitet e ardhshme!”.

Nga ana tjetër, rivali direkt, Lewis Hamilton, i dyti në botë, pasi uroi kundërshtarin, tha se asgjë nuk ka mbaruar këtu. “Unë vlerësoj fitoren e Mercedes me skuadrën e tij, por mendoj se koha ime nuk ka mbaruar akoma. Dua të fitoj më shumë trofe. Jam akoma i etur dhe nuk ndihem aspak i plakur.”

Në parakalimin e famshëm që Verstapen i bëri Hamiltonit, ky i fundit u dëgjua të thoshte në radio: “Nuk ka mundësi, kjo garë është e manipuluar”.

Megjithatë, kur gazetarët e pyetën pas duelit, britaniku u mundua ta anashkalonte me diplomaci, duke thënë se piloti i Red Bull u ndihmua jo pak dhe nga shoku i tij i skuadrës, spanjolli Perez, që arriti ta mbante britanikun prapa disa herë, duke i humbur disa sekonda. Pavarësisht humbjes në këtë mënyrë, sezoni për Lewis Hamilton mbetet i bukur dhe i suksesshëm.

Britaniku ishte shumë afër titullit të tetë në karrierën e tij që në rast se do ta arrinte, do të bëhej më i miri i historisë në Formula 1. Emocionet nisën që në duelin e parafundit, që rezultoi një dramë e vërtetë. Pas disa ndalesash dhe penalizimesh të njëpasnjëshme për Max Verstappen, Lewis Hamilton arriti të dalë i pari dhe me xhiron më të shpejtë. Ndërkohë që holandezi mbajti vendin e dytë. Kjo bëri që fituesi të vendosej në garën e fundit, ku dy pilotët kishin nga 369,5 pikë. Por Verstappen ndodhej në vendin e parë, pasi fitoi një garë më shumë se Lewis Hamilton që regjistronte 8 të tilla.

Një mision që fillimisht u duk i pamundur për 24-vjeçarin që, edhe pse i ri në moshë, arriti ta bëjë ëndrrën e tij realitet. Ai doli kundër më të mirit në botë dhe e mundi atë, ndërsa bëri një planet të tërë të dashurohej me forcën, talentin dhe pasionin e tij për këtë sport. Trofeun e parë, ai e fitoi kur ishte vetëm 18 vjeç, në debutimin e tij me skuadrën e Red Bull ku arriti të dilte i pari në Grand Prix të Spanjës, çfarë bëri që të gjithë të besonin fort se ky djalë mund të bëjë surpriza të mëdha. Ëndrra e tij ishte një dhe e vetme të bëhej kampion bote. “Për mua mosha është thjesht një numër. Nuk ka rëndësi. Në garë jemi të gjithë njësoj. Jam i lumtur për trofeun tim të parë në karrierë dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Sigurisht, ëndrra ime mbetet një dhe e vetme, të jem kampioni i botës”.

Verstappen stërvitej çdo ditë që kur ai ishte vetëm një djalë i vogël me ëndrra të mëdha. Talenti dhe pasioni i tij në këtë sport u zbulua që te garat e para ku në çdo pistë synonte vetëm të fitonte dhe të dilte i pari. Nuk kaluan më shumë se 5 vite në pistë që nga eksperienca e tij e parë si profesionit dhe ai ia doli të bëjë ëndrrën e tij më të madhe realitet, duke bërë krenar jo vetëm familjen e tij, por të gjithë mbështetësit që e përkrahnin në këtë sezon magjik dhe të paharruar. “Është jeta ime. Unë kam lindur në pistë dhe familja ime ka qenë e dashuruar me këtë sport, por kurrë nuk më detyruan dhe më vunë në presion për të zgjedhur këtë sport. Jam i ri në moshë, por nuk e mendoj, ata kanë eksperiencën unë kam pasionin dhe kjo më ndihmon që të arrij atë që dua. Puna ime, puna e një stafi të tërë . Jam shumë i lumtur që bëra histori dhe e mbylla ashtu siç duhet këtë vit. Dua të vazhdoj akoma më shumë”.

Një pritje spektakolare i bënë edhe në shtëpinë e tij të Red Bull, ku stafi dhe gjithë punonjësit e kompanisë dolën për të pritur fituesin. Me flakadanë dhe me thirrjet Verstappen, ata i uronin fitoren pilotit të tyre, ndërsa vetë piloti tha se nuk do ta ndërronte këtë skuadër për asgjë.

“Është skuadra që unë dua më shumë. Pa dyshim nëse do të flisnim për triumfin tim si kampion bote, ata kanë meritë të madhe dhe janë pjesë e tij. Më mbështesin gjithmonë dhe jam shumë i lumtur që i kam pranë”.

Nga ana tjetër një surprizë e bukur ju bë dhe pilotit të Mercedes që edhe pse nuk arriti të mbrojë titullin u nderua nga vendlindja e tij me titullin “Sir”. i shoqëruar nga e ëma, Hamilton u emocionua që pas kaq shumë vitesh si më i mirë në pistë arriti të bëjë një tjetër ëndërr të tij realitet dhe këtë gjë ta arrijë pikërisht në vendin e tij. Ishte vetë Princi Charles që i dhuroi këtë titull pilotit 36-vjeçar në shenjë mirënjohjeje për arritjet e jashtëzakonshme që ai pati në pistën e Formula 1. Në këtë mënyrë, ai bëhet piloti i parë në histori që nderohet në këtë mënyrë nga vendi i tij.