Bllokada bullgare, Maqedonia e Veriut optimiste: S’kemi kohë për aventura

Përditësuar më: 3/1/2022, ora 15:29

Bllokada bullgare, Maqedonia e Veriut optimiste: S’kemi kohë për aventura

Përditësuar më: 3/1/2022, ora 15:29

Vetoja bullgare për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, që po mban peng dhe Shqipërinë, mund të hiqet shumë shpejt. Kështu pohon zëvendëskryeministri i parë në qeverinë në largim, Artan Grubi, i cili thekson se Shkupi nuk ka kohë për të humbur.

“Nuk kemi kohë për aventura dhe për paparashikueshmëri institucionale politike për qytetarët tanë në të ardhmen e afërt. Jemi optimistë për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë për arsye se tashmë i jemi përgjigjur pesë pyetjeve të tyre, ose pesë çështjeve të cilat ata i ngrinin në rezolutën e miratuar në Kuvendin bullgar dhe po shpresojmë që në bazë të këtyre dy qëndrimeve të Sofjes dhe të Shkupit, dhe të përgjigjeve tona ndaj çështjeve të tyre, të ulemi në një tryezë bisedimesh në mënyrë intensive, t’i harmonizojmë qëndrimet, t’i përafrojmë dhe të largohet bllokimi bullgar nga rrugëtimi ynë evropian”, tha Artan Grubi, zv.kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Një koment pati edhe për kundërshtarët e Ballkanit të Hapur duke saktësuar se këtë iniciativë do ta refuzonte dhe Maqedonia e Veriut nëse ajo s’do të mbështetej nga Bashkimi Europian. “Secili prej këtyre gjashtë vendeve, mendimin të cilin e ka në kuadër të forumit në tavolinë, qoftë edhe mospajtimin më të madh, qoftë edhe refuzimin por të thuhet në tavolinë me të gjitha arsyet të cilat mund t’i kenë”, tha Grubi.

Ai foli edhe për qeverinë e re të vendit, që pritet të formohet brenda këtij muaji, duke konfirmuar se Bashkimi Demokratik për Integrim do të mbajë të njëjtat poste që i kishte dhe në ekzekutivin e Zoran Zaev. Gjithashtu konfirmoi se Maqedonia e Veriut do ta ketë kryeministrin e parë shqiptar dhe se qeveria e tij nuk do të jetë simbolike. “Janë zotuar publikisht dhe nuk e besoj që kushdo qoftë, cilado qoftë parti politike shqiptare, nuk do të kishte guximin që të mos votojë një kandidat shqiptar përherë të parë të zgjidhet kryeministër shqiptar, prandaj nuk shoh sfidë të veçantë, nuk shoh sfidë të veçantë as të VMRO-DPMNE, sepse edhe ata kanë gatishmëri ta votojnë një shqiptar për kryeministër në këtë vend, në veçanti në 100-ditëshin e fundit të kësaj qeverisje. Kjo nismë është më shumë se simbolike, po të ishte vetëm një ditë do të ishte simbolike, por 100 ditë nuk janë pak”.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se duhet të përmbyllet vetëm me njohje reciproke.