Briken Calja: Kampion nuk bëhesh duke qeshur e duke luajtur, nuk arrita rastësisht deri këtu

Përditësuar më: 3/1/2022, ora 11:06

Briken Calja: Kampion nuk bëhesh duke qeshur e duke luajtur, nuk arrita rastësisht deri këtu

Përditësuar më: 3/1/2022, ora 11:06

Në fillim të muajit dhjetor, Briken Calja u shpall kampion bote në peshëngritje, në stilin e shkëputjes, ndërsa për vetëm një kilogram më pak se kundërshtari, mori medalje argjendi në dygarësh. Gjithsesi, një arritje historike për peshëngritësin nga Cërriku, i cili rrëfen në një intervistë për A2 CNN atë që i është dashur të bëjë për t’u ngjitur në majën e këtij sporti.

“Këto arritje vijnë pas një pune 20-vjeçare, nuk është se arrita rastësisht deri këtu”, tregon Calja. “Këtë medalje ia kisha borxh shqiptarëve. Të gjithë e meritonin një medalje të tillë, sepse i mungonte. Zhgënjimi është i madh për dygarëshin. Por deri një muaj para Botërorit, për shkak të një problemi, isha gati të jepja dorëheqjen. Por ego dhe pasioni bëri që unë të vazhdoj pavarësisht problemeve. Nuk mund të vijë rezultati duke qeshur e duke luajtur, duhet sakrificë”.

Triumfin në Botëror tashmë Brikeni e ka lënë pas, dhe, siç tregon, është gati për sfidat e reja që e presin, me objektiv final Olimpiadën e Parisit në vitin 2024. “Më në fund ia dolëm. Por nuk duhet të ndalemi te kjo. Shpejt vjen Europiani dhe e kam premtuar që edhe Europiani do të flasë shqip. Pas saj vjen Botërori, dhe Lojërat Olimpike. Ëndrra e madhe është një medalje olimpike dhe unë besoj se i kemi kapacitet për ta marrë”.

31-vjeçari, i cili thotë se në fëmijëri është frymëzuar nga Ilir Suli, por edhe Pirro Dhima e Luan Shabani, ka edhe një mesazh për të rinjtë: “Ëndrrat duan përkushtim, por asgjë nuk është e pamundur. Duhet të marrësh parasysh se do të privohesh nga jeta normale, por në fund do t’ia vlejë”.