Futbolli i femrave pa mbështetje, kushte të vështira dhe pagë qesharake

Publikuar më: 3/1/2022, ora 12:03

Futbolli i femrave pa mbështetje, kushte të vështira dhe pagë qesharake

Publikuar më: 3/1/2022, ora 12:03

Prej kohësh, është konsideruar si sporti më i pëlqyer i djemve, por duket se kohët e fundit po merr një tjetër rrjedhë. A2 CNN vizitoi një nga fushat e zonës së Ali Demit, aty ku vajzat e ekipit të Tiranës AS, stërviten çdo ditë.

Ato kanë vetëm një ëndërr, të luajnë futboll dhe një ditë të jenë sportiste profesioniste. Ndonjëherë pasioni dhe dëshira për të arritur atë që do, të bën të kapërcesh çdo pengesë dhe paragjykim dhe në fund fituesi të jesh ti! Kjo është historia e vajzave futbolliste sot në Shqipëri, ku edhe pse janë ndeshur shpesh me paragjykime apo steriotipe gjinore, ato nuk janë dorëzuar kurrë për ëndrrën e tyre më të madhe.

Aurora Seranaj, një nga pionieret e para në këtë sport, sot trajnere e skuadrës së Tirana AS, tregon se ndonëse futbolli te vajzat ka pësuar ndryshime të madhe, akoma ekzistojnë problematikat e bazës materiale apo terreneve për t’u stërvitur.

“Futbolli i vajzave është ende në vështirësi. Unë e kam lënë futbollin para 5 viteve dhe tani që kthehem si trajnere, shoh që kemi bërë hapa para, por kemi akoma vështirësi. Duhet pak më shumë vëmendje, pasi kur luaja unë, ishte tabu që një vajzë të ishte futbolliste”, tregon Aurora Seranaj, trajnere e Tirana AS.

Edhe dy futbollistet, Erjola Mema dhe Rabije Toda, veterane në sport që nga viti 2009, tregojnë se pasioni për futbollin lindi qëkur ato ishin fëmijë, por mbështetja që i bëhet është shumë e vogël. “Ne duhet të presim radhën që të hyjmë në fushë, shpesh ndeshjet tona edhe spostohen”, tregon Mema për A2 CNN. “Ne stërvitemi në kalçeto…”. “Duke qenë që po shtohen edhe akademitë e fëmijëve, nuk kemi orare dhe fusha ku të stërvitemi, është problem madhor”, thotë Toda.

Sot, ato paguhen me një pagë modeste nga Federata, por a është e mjaftueshme për të qenë futbolli , profesioni i tyre i parë? “Unë kam mbaruar edhe universitetin, e nëse nuk marr një benefit të mirë nga ftubolli, do të bëj punë tjetër, dhe niveli im në sport, do të bjerë”, thotë Toda.

Edhe pse duket sikur i kemi lënë prej kohesh paragjykimet drejtuar vajzave që merren me futboll, ato tregojnë se për fatin e keq, ka akoma nga ata që flasin dhe nuk besojnë në aftësitë e tyre. “Ka pasur paragjykime plot, por u them të gjithave që duhet të bëjnë atë që u ndjen zemra”, tregon Mema.

Tirana AS, është e vetmja skuadër që në krye të bankinës ka një trajnere femër, pasi ekipet e tjera janë të “mbytura” nga drejtues meshkuj. Por si e sheh veten Aurora në këtë ambient dhe sa i përshtatet?

Për 6 vitesh, Seranaj u largua nga Shqipëria për të marrë eksperiencë Europiane, ku veçon atë të Italisë, ku luajti në ekipe si Lazio dhe Torino. Por kur e pyesim se në cilin vend do të donte të bënte ndryshim, pa u menduar dy herë ajo përgjigjet: “Do të zgjidhja vendim tim, që futbolli i femrave të ecte ende përpara dhe të arrinim nivelin ku është Europa sot”.

Pasioni dhe dashuria për këtë sport, shihet qartë në çdo lëvizje që ato bëjnë. Të palodhura dhe të bindura përballë trajneres së tyre, ato ëndërrojnë që një ditë edhe futbolli i tyre të ketë të njëjtën vëmendje, siç ka Kategoria Superiore e meshkujve. Kjo do t’i ndihmonte dhe do të ishte një stimul për të luajtur më mirë, pse jo, një ditë të përfaqësonin vendin e tyre dhe në arenën europiane.