Kërkoi shtyrjen e aktivizimit të rrjetit 5G, kompanitë e telefonisë refuzojnë kërkesën e qeverisë amerikane

Përditësuar më: 3/1/2022, ora 10:14
Untitled collage 2022 01 03T101327.844 1280x720

Kërkoi shtyrjen e aktivizimit të rrjetit 5G, kompanitë e telefonisë refuzojnë kërkesën e qeverisë amerikane

Përditësuar më: 3/1/2022, ora 10:14

Dy prej kompanive më të mëdha të telefonisë në Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar të marrin parasysh kërkesën e qeverisë për të shtyrë aktivizimin e teknologjisë 5G. Kërkesa ishte bërë nga Sekretari i Transportit, Pete Buttigieg dhe Administrata Federala e Aviacionit, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e transportit ajror. Dy kompanitë, AT&T dhe Verizon, thanë se do të vijojnë me zbatimin e planit, por duke vendosur disa masa sigurie të përkohshme.

Prodhuesit e avionëve kanë paralajmëruar se sinjali 5G mund të ndërhyjë në pajisjet elektronike të avionëve dhe të shkaktojë probleme në fluturime. Teknologjia pritet të hyjë në funksion në SHBA më 5 janar, por dy kompanitë thanë se nuk do të ngrenë antena pranë aeroporteve për të paktën gjashtë muaj, duke ndjekur shembullin e Francës.

Shqetësimi për ndërhyrjen e valëve të rrjetit 5G u ngrit muajin e kaluar nga Airbus dhe Boeing, dy kompanitë më të mëdha në botë të prodhimit të avionëve. Ata thanë se veçanërisht e rrezikshme do të ishte mosfunksionimi i pajisjeve që matin lartësinë e avionëve.

Teknologjia 5G lejon përcjelljen e informacionit në internet që parashikohet të arrijë deri në 10 Gbps për sekondë. Për krahasim, me rrjetin 4G, mund të lundrohet në internet me një shpejtësi deri në 100 Mbps, ose 100 herë më pak se me rrjetin 5G.

Zbatimi i kësaj teknologjie ka qenë shpesh pjesë e teorive konspirative në rrjet, të lidhura edhe me pandeminë e koronavirusit. Si pasojë, janë regjistruar jo pak raste në vende të ndryshme të botës, ku njerëzit u kanë vënë flakën shtyllave ku ishin të instaluara antena të rrjetit 5G.