Ashpërsimi i kufizimeve, protesta në disa qytete të botës: Kërkojmë lirinë tonë

Përditësuar më: 4/1/2022, ora 12:10

Ashpërsimi i kufizimeve, protesta në disa qytete të botës: Kërkojmë lirinë tonë

Përditësuar më: 4/1/2022, ora 12:10

Dhjetëra protestues sfiduan shiun në Francë për të kundërshtuar ashpërsimin e kufizimeve në luftën ndaj pandemisë. Me çadra në duar, qytetarët u mblodhën përpara Asamblesë Kombëtare, ku deputetët e partisë në pushtet, debatonin për një ligj që detyron tregimin e një vërtetimi vaksine, për të shkuar në restorante apo kinema, si dhe për të udhëtuar me tren. Ligji i ri heq opsionin e shfaqjes së një testi negativ për Covid-19, në vend të certifikatës së vaksinës, dhe kjo ka zemëruar qytetarët.

 “Protestoj kundër vaksinimit të detyruar. Gjithkush, duhet të jetë i lirë të vendosë vetë dhe ne duam të rifitojmë lirinë tonë”, thotë një protestues.

“Po u kërkoj atyre që të ndalojnë këtë çmenduri, nuk është e nevojshme t’i tejkalojmë të gjithë të tjerët me këto masa. Po u kërkoj atyre mos t’i prekin fëmijët tanë, të mos na imponojnë që të vaksinohemi. Shpresoj që ata ta heqin pasaportën shëndetësore. Nëse i lëmë të bashkohen me budallallëqet e tyre, nuk e dimë kur do të mbarojë, kështu që u kërkoj të ndalojnë”, shprehet një tjetër.

Protestë kundër masave të reja kufizuese pati edhe në Holandë. Policia u përlesh me qindra persona të mbledhur në Amsterdam për të kundërshtuar izolimin dhe vaksinimin e detyruar.

Të paktën 30 persona u arrestuan, njoftuan autoritetet e sigurisë. Ndalimi i tyre u bë pasi nuk respektuan urdhrin e qeverisë për grumbullimet publike, mbajtjen e maskave dhe ruajtjen e distancës fizike. Manifestimi i qytetarëve holandeze kundër kufizimeve, u bë me muzikë dhe me çadra të verdha.

Protestë pati edhe në një tjetër kontinent. Prindërit në Toronto të Kanadasë kundërshtuan mbylljen e shkollave dhe kalimin në mësimdhënien online.

 “Fëmijët tanë duhet të jenë në shkolla e të mësojnë atje. Mësuesit duhet të jenë afër tyre. Mësimi virtual është i papranueshëm”, shprehet një prind.

 “Shëndeti mendor i fëmijëve është përkeqësuar. Abuzimi në familje është shtuar, po ashtu edhe niveli i vetëvrasjeve është shtuar. Omicron nuk po i vret fëmijët”, thotë një tjetër.

Kundër vaksinimit u protestua edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Punonjësit e kompanisë më të madhe mjekësore kundërshtojnë detyrimin për të marrë dozat anti-covid në mënyrë që të mbajnë vendin e punës.