“Ballkani i Hapur” i paplotë, Xhaferi: Maqedonia e Veriut shpreson për zgjidhje të ngërçit me Bullgarinë

Përditësuar më: 4/1/2022, ora 19:35

“Ballkani i Hapur” i paplotë, Xhaferi: Maqedonia e Veriut shpreson për zgjidhje të ngërçit me Bullgarinë

Përditësuar më: 4/1/2022, ora 19:35

Nisma rajonale “Ballkani i Hapur” nuk do të jetë e plotë nëse në të nuk përfshihen të gjashtë vendet e rajonit. Kështu mendon kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili shton se pjesë politike është ajo që përcakton statusin përfundimtar të çdo nisme.

“Ballkanin e Hapur” ai e vlerëson në kontekstin ekonomik dhe social: “Ajo nuk do të jetë e plotë nëse nuk janë të gjithë të kyçur në atë nismë. Por, përsëri të ngarkuar nga raportet politike që i kanë vendet e caktuara, po bëhet edhe përkufizimi i pajtueshmërisë apo mospajtueshmërisë për një nismë të tillë. Kështu që në kontekst ekonomik, kontekst social, gjithçka është në rregull, por konteksti politik është ai që e definon mandej edhe statusin përfundimtar të çdo nisme, qoftë kjo e fondit në mikro-rajon, qofshin nisma të tjera në të cilat ne bashkërisht marrim pjesë si gjashtë vende të rajonit”.

Shpresë ka për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, që të hiqet vetoja, e cila mban peng edhe Shqipërinë, dhe të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian për negociatat e anëtarësimit: “Shpresa gjithnjë nuk guxon të humbet dhe sinjalet që ka shpresë, Bullgaria gati një vit ka qenë pa qeveri politike, brenda një viti atje janë përsëritur zgjedhjet parlamentare, tanimë ka qeveri politike e cila nuk ka disa ditë që është në funksion dhe besoj që në komunikim të pandërprerë që bëhet shpresojmë që të gjendet zgjidhje e pajtueshme për të dy palët”.

Ndër të tjera, kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut komentoi dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë: “Nuk do mend që unë jam i bindur se ai proces kurdoqoftë të jetë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë në mes të dy shteteve”.