Përplasja për PD-në, Berisha thërret protestë, Basha ndryshon derën e selisë

Publikuar më: 4/1/2022, ora 15:35

Përplasja për PD-në, Berisha thërret protestë, Basha ndryshon derën e selisë

Publikuar më: 4/1/2022, ora 15:35

Këtë fillim viti, selia e demokratëve po restaurohet. Pak ditë përpara protestës së thirru nga Sali Berisha kundër Lulzim Bashës, dyert dhe dritaret e godinës kanë ndryshuar, nga transparente janë veshur me adezivë. Ndryshimet në fasadë u cilësuan nga Berisha bunkerizim të godinës, duke i dërguar edhe një mesazh autorëve të saj.

“Me këtë rast i kujtojmë Lulzim Bravës që mendon se me dyer dhe brava do të mposhtë shumicën dhe pluralizmin në Shqipëri, se ata që shembën regjimin më gjakatar në ’90, nuk do të lejojnë kurrë asnjë derë brave, hekur apo shul të mbajë peng vullnetin e tyre të shprehur përmes votës së lirë. Partia Demokratike ka lindur si shtëpi e lirisë dhe e tillë do të vijojë të mbetet, kurse Lulzim Pengu së bashku me pengmarrësin e tij do kenë fatin e atyre që bunkerizuan Shqipërinë”, Sali Berisha.

Qëndrimet e liderit historik morën përgjigjen Lulzim Bashës. Në një reagim zyrtarë, zyra e shtypit e partisë dha edhe shpjegimet se përse u vendos lyerja e godinës ditët e para të janarit.

“Punimet dhe mirëmbajtja në seli këtë fillimviti bëhen në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë. Selia qendrore e Partisë Demokratike ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e hapur për demokratët e sakrificave dhe kontributeve, por e mbyllur për ata që e kanë mbajtur peng Partinë Demokratike gjatë gjithë këtyre viteve me shpresën se mund ta përdorin për t’u fshehur, mbrojtur apo rregulluar punët e tyre të pista”, Lulzim Basha.

Përplasja ndërmjet demokratëve nuk gjeti pushim as këtë fillim viti. Mbështetësit e Sali Berishës kanë caktuar datën 5 janar si afat të fundëm për Lulzim Bashën që të dorëzoj godinën. Këto ultimatume duket se janë dëgjuar nga Basha, jo për të liruar zyrën por për tu përgatitur për protestë.