Dështon seanca e rigjykimit të Tahirit në Apel, asnjë gjyqtar i posaçëm për ish-ministrin

Publikuar më: 5/1/2022, ora 10:31

Dështon seanca e rigjykimit të Tahirit në Apel, asnjë gjyqtar i posaçëm për ish-ministrin

Publikuar më: 5/1/2022, ora 10:31

Për të dytën herë radhazi ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, i rezultoi xhiro boshe vajtja në Apelin e Gjykatës së Posaçme. Procesi i rigjykimit të tij dhe të bashkëpandehurit Jaeld Çela, lidhur me akuzat e “trafikut të narkotikëve” e “grupit të strukturuar kriminal” si garantorë i grupit të Habilajve u shty për në 17 janar.

Ndonëse palët në proces ishin të pranishme shkak për dështimin e seancës u bë vetë gjykata. Anëtari më i ri i trupës, Florian Kalaja, kërkoi kohë për t’u njohur me aktet e dosjes, kërkesë që u pranua nga kolegët e tij. Kalaja është gjyqtari i tretë që u delegua në këtë proces, në vend të gjyqtares Daniela Shira, e cila u dorëhoq nga çështja për shkak të konfliktit të interesit.

Ndërkohë të pandehurit Çela i ishte refuzuar kërkesa për përjashtimin e saj. Më herët nga procesi hoqën dorë edhe dy anëtaret Ilirjana Olldashi dhe Miliana Muça, duke bërë kështu, që të tre gjyqtarët që do të rigjykojnë Tahirin të jenë të deleguar nga Apelet e zakonshme. Trupa aktuale përbehet nga gjyqtari Engert Pëllumbi kryesues dhe anëtarë gjyqtarët Igerta Hysi dhe Florian Kalaja.

Ish-ministri i brendshëm, Tahiri dhe ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, të dy të fajësuar nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda për “shpërdorim të detyrës” do të rigjykohen në Apel në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë.