Edhe Shqipëria eksporton drejt Japonisë, por çmimi i tonit atje vijon pikiatën

Publikuar më: 5/1/2022, ora 10:27

Edhe Shqipëria eksporton drejt Japonisë, por çmimi i tonit atje vijon pikiatën

Publikuar më: 5/1/2022, ora 10:27

Një peshk ton pendëblu u shit për rreth 145 mijë dollarë, të mërkurën në mëngjes, në ankandin vjetor të mbajtur në tregun më të madh të peshkut në Tokio, duke pësuar ulje çmimi për të tretin vit radhazi.

Peshku me peshë 211 kilogramë, u shit për rreth 34 mijë dollarë më pak sesa peshku më i shtrenjtë i vitit të kaluar, raportuan mediat lokale. Për krahasim, në janar 2019, një peshk ton 278-kilogramësh u shit për 3,1 milionë dollarë.

Toni, i kapur në ujërat e veriut të Japonisë, iu shit një restoranti luksoz që ofron sushi. Menjëherë më pas, ai u pre dhe u bë gati për t’iu shërbyer klientëve.

Ankandi vjetor i peshkut ton shihet në Japoni si një ogur i mirë për të nisur vitin dhe një mundësi për marketing. Por në vitet e fundit, numri i pjesëmarrësve është ulur ndjeshëm, për shkak edhe të pandemisë së koronavirusit. Edhe kërkesa për peshkun ton në të gjithë vendin ka pësuar rënie, për pasojë edhe çmimet kanë rënë ndjeshëm.

Por edhe pse ka më shumë se 2000 porte peshkimi, Japonia është një prej importuesve më të mëdhenj të peshkut ton. Në vitin 2018, sipas një artikulli të Reuters, ishte importuesi më i madh i tonit, një industri globale që kap vlerën e 15,7 miliardë dollarëve.

Një fermë e tillë toni është hapur edhe në vendin tonë. Më 1 dhjetor, kryeministri Edi Rama dhe ambasadori i Japonisë, Takada Mitsuyuki, ndoqën kapjen e peshkut të parë ton që do të nisej për eksport në vendin e largët aziatik.