Macron paralajmëron se do të zemërojë të pavaksinuarit në Francë

Publikuar më: 5/1/2022, ora 08:30

Macron paralajmëron se do të zemërojë të pavaksinuarit në Francë

Publikuar më: 5/1/2022, ora 08:30

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se do të vështirësojë jetën për 5 milionë njerëzit e pavaksinuar kundër Covid-19, në Francë.

“Të pavaksinuarit, dua shumë t’i mërzis. Dhe kështu do të vazhdojmë ta bëjmë deri në fund. Kjo është strategjia”, tha kreu i shtetit francez.

Në një intervistë për gazetën franceze Le Parisien, ai tha se nuk do t’i vaksinonte me forcë, por do t’i inkurajonte ata, duke kufizuar sa më shumë që të ishte e mundur qasjen e tyre në aktivitetet në jetën shoqërore.

“Unë nuk do të dërgoj njerëz të pavaksinuar në burg. Kështu që ne duhet t’u themi atyre, nga 15 janari, nuk do të mund të shkoni më në restorant. Nuk do të mund të shkoni më për një kafe, nuk do të mund të shkoni më në teatër. Nuk mund të shkoni më në kinema”.

Por kundërshtarët politikë, thanë se gjuha e fortë që ai përdori në intervistë nuk ishte e denjë për një president.

Komentet e tij erdhën pasi një projektligj për pasaportat e Covid u vonua nga deputetët e opozitës që u bashkuan kundër qeverisë.

Legjislacioni pritej të miratohej në një votim këtë javë, por ai ka zemëruar kundërshtarët e vaksinës dhe disa deputetë francezë kanë thënë se kanë marrë kërcënime me vdekje për këtë çështje.

Komentet e presidentit francez për gazetën erdhën në ditën kur Franca raportoi një tjetër rekord ditor me më shumë se 271 000 infeksione COVID-19, pasi varianti Omicron vazhdon të drejtojë një valë të pestë të virusit.