Serie A italiane, edhe futbollistët duhet të bëjnë vaksinat me detyrim

Përditësuar më: 5/1/2022, ora 14:49
serie a vaksina 1280x720

Serie A italiane, edhe futbollistët duhet të bëjnë vaksinat me detyrim

Përditësuar më: 5/1/2022, ora 14:49

Futbollistët e Serie A duhet të jenë detyrimisht të vaksinuar për të ushtruar aktivitetin. Më saktë, të gjithë futbollistët profesionistë në Itali, do ti nënshtrohen edhe dozës së tretë të vaksinës, për të siguruar atë që quhet “super greenpass”.

Masat e reja do të hyjnë në fuqi prej datës 1 shkurt. Vaksinimi i sportistëve është pjesë e planit të qeverisë italiane për t’u përballur me përhapjen alarmante të variantit Omicron. Gjithçka pasi specialistët e shëndetësisë parashikojnë që piku i infektimeve të arrihet në fundit e muajit janar.

Prej muajit të kaluar, presidenti i federatës italiane, Gabriele Gravina nuk e kishte përjashtuar mundësinë që të gjithë futbollistët duhej të ishin detyrimisht të vaksinuar. Gjithsesi, problemi lidhet me aspektin juridik të këtij vendimi.

Në tryezë mbeten edhe disa përjashtime. Duke nisur nga çështja e lojtarëve që janë vaksinuar në vendet e tyre, të cilët nuk mund të marrin dozën e tretë pa përmbushur afatet kohore të parashikuara nga mjekët. Ende nuk është e qartë nëse kjo pengesë do të ndikonte në pajisjen e tyre me certifikatën jeshile apo do t’i pengonte të aktivizohen normalisht në ndeshjet e kampionatit.

Sa i takon futbollistëve të skuadrave të huaja, të cilat do të luajnë në Itali në aktivitetet e FIFA-s dhe UEFA-s, rregullat pritet të jenë të njëjtat me ato që janë aktualisht në fuqi.

Për momentin, me gjithë emergjencën e rikthyer nga infektimet me COVID, Serie A nuk ka ndërmend ta ndërpresë kampionatin. Skuadrat do të kthehen normalisht në fushë prej kësaj të enjteje, ndërsa autoritetet mund të vendosin vetëm të ndalin ndeshjet e skuadrave të veçanta, të cilat janë kthyer në vatra të infeksionit.