Shtyhet seanca për Tahirin, avokati: Presim argumentet. Faturë në kurriz të popullit

Përditësuar më: 5/1/2022, ora 12:21

Shtyhet seanca për Tahirin, avokati: Presim argumentet. Faturë në kurriz të popullit

Përditësuar më: 5/1/2022, ora 12:21

Pas shtyrjes së seancës gjyqësore të ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, ka reaguar edhe avokati i tij Maksim Haxhia. Në një deklaratë për mediat, ai tha se po presin të vihen në dijeni nga gjykata për shkakun.

“Nga ana e avokatëve, është bërë kërkesë për papajtueshmëri për të mos qenë prezent gjyqtarja Shirka për shkak se e ndalon procedura që të marrë pjesë në gjykime të njëjta. Presim që gjykata të na vërë në dijeni shkakun, nëse do të jetë me atë që ne kemi kërkuar që për të përjashtuar nga trupi gjykues zonjën Shirka, do të jetë një disastër”.

I pyetur nëse është normale që Tahiri po gjykohet nga 3 gjyqtarë “të marrë borxh”, Haxhia theksoi se kjo është një faturë në kurriz të popullit, sikurse është edhe harta gjyqësore.

“Nëse kemi ndërtuar një gjykatë, ajo jo vetëm është e specializuar, por ka edhe autoritetin dhe juridiksion për të gjykuar subjekte të tilla në pozicione të larta shtetërore. Megjithatë, kjo është situata sot në drejtësi ashtu siç merr përgjigje dhe harta gjyqësore që është një faturë që e paguajnë njerëzit që kanë probleme me drejtësinë që të vijnë nga rrethe të ndryshme në Tiranë. Është çuditërisht e pajustifikueshme që një komisioni të lartë si vetingu i zgjatet afati dhe nuk punojnë. Në vend që të punojnë, shkojnë me pushime dhe në vend të gjendet zgjidhja te këta, gjendet zgjidhja tjetër duke futur një faturë në kurriz të popullit”.