Vetoja e Bullgarisë ndaj integrimit, analistët: Së shpejti mund të arrihet marrëveshje

Përditësuar më: 5/1/2022, ora 15:05

Vetoja e Bullgarisë ndaj integrimit, analistët: Së shpejti mund të arrihet marrëveshje

Përditësuar më: 5/1/2022, ora 15:05

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria mund të arrijnë ujdi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që po e mbajnë të bllokuar procesin e integrimit të Shkupit dhe Tiranës. Njohës të çështjeve ndërkombëtare i bazojnë pritshmëritë pozitive tek agjenda e qeverisë së re, që parashikon bisedime për bashkëpunimin ekonomik, infrastrukturën, kulturën, shëndetësinë dhe çështje të tjera që janë në interes të përbashkët.

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, ka kërkuar krijimin e grupeve të punës dhe pret që rezultatet e para të shihen brenda gjashtë muajve. Muhamed Halili, ish-diplomat dhe kryetar i Këshillit të Ambasadorëve, thotë për Radion Evropa e Lirë, se zgjidhja e mosmarrëveshjeve varet edhe nga rrethana tjera, përfshirë zgjedhjet në Francë, vend i cili do të kryesojë Bashkimin Evropian, në gjashtë muajt e parë të vitit 2022.

“Vlerësoj se Maqedonia e Veriut ka gjasa që konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, ta mbajë diku nga fundi i muajit maj, atëherë kur do të mbarojë fushata parazgjedhore në Francë. Besoj se atëherë do të ketë një zgjidhje të përkohshme për vendin”, tha Muhamed Halili.

Por, Vasko Naumovski, ish-zëvendëskryeministër për çështje evropiane në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë, se plani i ri i qeverisë bullgare jep shpresa për lëvizje pozitive që mund të çojnë në një marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve.

“Fushat që po përmenden ndoshta mund të çojnë në përafrimin e dy shteteve dhe dy popujve, nëse kjo bëhet në një frymë konstruktive. Vendosja e komunikimit akademik, kulturor, në infrastrukturë, ekonomi e kështu me radhë, mund të thellojë bashkëpunimin, pasi më parë palët ishin të fokusuara më shumë në aspektet historike. Ndoshta gjashtë muaj janë shumë, por nëse ka një frymë pozitive besoj se mund të kemi rezultate edhe më herët”, u shpreh Vasko Naumovski.

Sa i përket aspekteve të historisë, Naumovski thotë se duhet të ketë sa më pak politikë dhe kjo çështje t’i lihet për zgjidhje komisionit të përbashkët.